
SHBA- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli të premten pasdite në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në veçanti, kryeministri izraelit e filloi fjalimin e tij duke thënë se ai nuk e kishte pasur ndërmend të shkonte në Asamblenë e Përgjithshme këtë vit, pasi vendi i tij është në luftë. Por megjithatë vendosi të kundërtën.
Teksa ai doli në skenë, shumë liderë të vendeve të tjera që ishin në sallë, u larguan në shenjë proteste.
MOMENTI ME VIDEO:
Megjithatë Netanyahu vazhdoi fjalën e tij duke u ndalur tek disa nga të pranishmit, familjarët të personave që ende mbahen peng që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Ai e përshkroi atë që ndodhi më 7 tetor si "ngjarje që të kujton holokaustin nazist".
"Nuk ka vend në Iran që Izraeli nuk e arrin dot"
Kryeministri izraelit iu referua përsëri ngjarjes së 7 tetorit. Në fjalën e tij, ai renditi disa nga vendet që e kanë sulmuar Izraelin duke paralajmëruar hakmarrje. Më gjatë u ndal tek Irani. Ai tha se OKB-ja duhet të "rikthejë" sanksionet kundër Iranit për hir të paqes në botë.
"Nuk ka vend në Iran që 'krahu i gjatë' i Izraelit nuk mund ta arrijë. Nëse Irani sulmon ne do të përgjigjemi. Për hir të paqes dhe sigurisë së të gjithë botës, ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë, por kam një mesazh për tiranët e Teheranit: Nëse na godisni, ne do t'ju godasim."
Nga lufta, të paktën dhjetra mijëra persona kanë vdekur dhe 200,000 të tjerë janë zhvendosur, ndërsa thirrjet për armëpushim, bazuar në planin francez dhe amerikan, për momentin bien në vesh të shurdhër./ZËRI