
PARIS - Eurodeputetët e Parlamentit Evropian patën një surprizë, kur treni i tyre nga Brukseli për në qytetin francez të Strasburgut, përfundoi në Disneyland të Parisit.
Treni special bën rrugëtimin një herë në muaj për t'i çuar eurodeputetët në vendet ku ndodhet parlamenti, në Bruksel dhe Strasburg.
Por nga një gabim sinjalizues të hënën, ata përfunduan në një vend, ku panë Disneylandin. Ndalesa nuk ishte mjaft e gjatë që deputetët dhe ndihmësit e tyre të shijonin pamjen, pasi avaria zgjati vetëm 45 minuta.
Kompania franceze e hekurudhave SNCF i tha agjencisë së lajmeve AFP se një gabim në sinjalizimin e shiritit, kishte bërë që treni të humbiste një linjë ndërlidhëse që duhej të merrte, ndërsa i afrohej Parisit.
Pas disa rregullimeve, më në fund, treni u rikthye në rrugën e duhur për në Strasburg./Zëri.ai/