IRAN- Pas rrëzimit të avionëve luftarakë amerikanë në rajone të Iranit, duket se iranianët nuk do të ndalojnë sulmet. Forcat e armatosura iraniane kanë deklaruar se kanë arritur të rrëzojnë edhe tre mjete të tjera ajrore: një avion furnizimi C-130 Hercules dhe dy helikopterë UH-60 Black Hawk.
Sipas autoriteteve shtetërore në Teheran, rrëzimi i avionit dhe dy helikopterëve ndodhi gjatë një misioni amerikan të kërkim-shpëtimit për pilotin e avionit të rrëzuar F-15E. Garda Revolucionare Islamike ka bërë të ditur se disa “objekte fluturuese” u shkatërruan gjatë operacionit, duke lënë të kuptohet përfshirja e drejtpërdrejtë e forcave amerikane. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga Shtetet e Bashkuara.
Ende nuk është e qartë nëse mjetet e rrëzuara kanë qenë pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit apo e një misioni tjetër. Tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbeten të larta që prej 28 shkurtit, kur forcat amerikane dhe izraelite nisën një seri sulmesh ajrore dhe ushtarake kundër objektivave iraniane, duke çuar në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme. Nga këto sulme mbeti i vrarë edhe një lider suprem iranian Ali Khamenei./ZËRI