
MOSKË - “Rusia është gati për bisedime”, ishte mesazhi i dërguar përmes video-konferencës nga presidenti rus Vladimir Putin, gjatë samitit të G20-ës për luftën në Ukrainë.
Lufta në këtë vend europian është ende duke u zhvilluar. Deklarata ka qenë jo pak suprizuese, duke pasur parasysh qëndrimet e kreut të Kremlinit. Putin tha se ne duhet të mendojmë sesi ta ndalim luftën në Ukrainë, përpara se ajo të kthehet në një tragjedi. Ai shtoi se Rusia është e gatshme për bisedime, por akuzoi edhe një herë Ukrainën, se negociatat nuk po përparojnë.
Duke iu drejtuar udhëheqësve të G20-ës për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus, Putin vuri në dukje se disa liderë kanë thënë në fjalimet e tyre se janë të tronditur nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në Ukrainë. “Po, sigurisht, veprimet ushtarake janë gjithmonë një tragjedi”, tha Putin në samitin online të G20 të thirrur nga kryeministri indian Narendra Modi, i cili mban presidencën e rradhës të Grupit 20. “Dhe sigurisht, ne duhet të mendojmë se si ta ndalojmë këtë tragjedi”, shtoi presidenti rus, duke deklaruar: “Meqë ra fjala, Rusia nuk ka refuzuar kurrë bisedimet e paqes me Ukrainën”.
Një zyrtar i lartë rus tha se Moska nuk mund të bashkëjetojë me qeverinë aktuale të Ukrainës dhe do të vazhdojë "operacionin e saj special ushtarak", siç e quan Rusia pushtimin rus, për "çmilitarizimin" e Ukrainës. Ukraina është zotuar të vazhdojë luftën, derisa ushtari i fundit rus të largohet nga territori ukrainas. Edhe aleatët perëndimorë të Kievit kanë thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Së bashku me Krimenë, territor që Moska e aneksoi në vitin 2014, Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Putin pretendon se këto toka ukrainase tani janë pjesë e Rusisë.
Vladimir Putin nuk mori pjesë në samitet e mëparshme të G20 në Nju Delhi dhe Nusa Dua, Indonezi, teksa Rusia u përfaqësua atje nga Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Presidenti rus foli nga lidhjet në internet në samitet e 2021 dhe 2020. Hera e fundit që ai mori pjesë personalisht në një samit të G20 ishte në vitin 2019 në Osaka të Japonisë. Delegacionet e zyrtarëve rusë dhe ukrainas kishin marrë pjesë më parë në negociata, por nuk ishte bërë ndonjë përparim domethënës, pasi Rusia refuzoi t'i dorëzonte territoret e pushtuara Ukrainës. Putin përpiqet të shprehet vazhdimisht se është i hapur për bisedime, por kushtet që ai vendos duket se e bëjnë të vështirë përparimin e procesit.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, Putin është në pritje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA, duke “vënë bast” për fitoren e Trump, i cili ka gjasa të fitojë nominimin e republikanëve dhe të kandidojë për postin. Ky i fundit kritikon paketat e fuqishme të shpenzimeve të mbrojtjes, të dhëna nga Perëndimi për Kievin./Zëri.ai/