BUDAPEST- Peter Magyar është betuar si kryeministri i ri i Hungarisë, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të Viktor Orban. Ceremonia e betimit u zhvillua një muaj pas fitores së thellë të partisë së re opozitare Tisza në zgjedhjet parlamentare, në parlamentin hungarez, ku për herë të parë pas 12 vitesh u rikthye edhe flamuri i Bashkimit Europian në sallën parlamentare.
Magyar kishte ftuar qytetarët të mblidheshin përpara parlamentit për të “shkruar historinë hungareze”, ndërsa mijëra mbështetës iu përgjigjën thirrjes së tij dhe ndoqën ceremoninë në ekranet e mëdha të vendosura në sheshin kryesor të Budapestit.
Në fjalimin e tij, kryeministri i ri e cilësoi ndryshimin politik si një moment historik për vendin: “Sot çdo njeri që e do lirinë në botë do të donte të ishte pak hungarez”.
Lideri 45-vjeçar i partisë së qendrës së djathtë Tisza fitoi zgjedhjet parlamentare me 141 nga 199 mandate, duke premtuar reforma politike, luftë kundër korrupsionit dhe rikthim të marrëdhënieve me Bashkimin Europian.
Magyar synon të zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira nga BE-ja dhe të reformojë institucionet shtetërore pas viteve të qeverisjes së Orbán./ZËRI