
SHBA- Një betejë e re ka pushtuar rrjetin dhe as nuk e kuptuam se kur nisi. Bëhet fjalë për një përplasje fizike që pritet të ndodhë mes Elon Musk dhe presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro. E gjitha nisi nga Musk, i cili e akuzoi Maduron për "mashtrim masiv elektoral", madje e cilëson edhe si diktator. Kështu që i kërkoi në duel.
Postimet e Musk nuk kaluan pa u vënë re nga vetë Maduro, i cili e quajti miliarderin "një kërcënim për Venezuelën" dhe publikisht pranoi duelin me të.
“Mediat sociale po krijojnë një realitet virtual dhe kush e kontrollon realitetin virtual? Armiku ynë i ri i madh, i famshmi Elon Musk. A do sherr? Hajde le të zihemi. Elon Musk, jam gati, nuk kam frikë prej teje. Le të luftojmë ku të doni!"
Musk mori dorezën që i hodhi presidenti i Venezuelës dhe u përgjigj me një fjalë përmes platformës që tashmë ai zotëron "X-it": Pranoj!
Sa i përket çmimit të betejës, duket se Musk thotë se nëse fiton ai, Maduro duhet të japë dorëheqjen, por nëse fiton presidenti, do i dhurojë një udhëtim falas në...planetin Mars./ZËRI