Bota

Protesta në Barcelonë, qytetarët kërkojnë qira më të përballueshme

Strehimi është bërë një çështje kryesore në Spanjë, pasi vendi përpiqet të balancojë promovimin e turizmit, një shtytës kryesor i ekonomisë së saj, dhe shqetësimet për qiratë e larta.

Redaksia Zëri
Protesta në Barcelonë, qytetarët kërkojnë qira më
Foto ilustruese

BARCELONA- Rreth 22,000 njerëz protestuan në Barcelonë të shtunën, duke kërkuar çmime më të ulëta të qirave dhe kushte më të mira jetese. Strehimi është bërë një çështje kryesore në Spanjë, pasi vendi përpiqet të balancojë promovimin e turizmit, një shtytës kryesor i ekonomisë së saj, dhe shqetësimet për qiratë e larta.

Çmimi i qirave të nënshkruara në tremujorin e dytë të vitit 2024 në Barcelonë ishte pothuajse 70% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2014.

"Ne po shpenzojmë gjysmën e pagës sonë me qiranë, kjo duhet të ndalojë,"- tha Carme, 28 vjeçe, një zëdhënëse e një sindikate qiramarrësish. Sipas "Euronews", protesta më të vogla u mbajtën në të gjithë Katalonjën dhe në Burgos, Asturias në veri të Spanjës dhe Jerez de la Frontera në jug.

Organizatorët e protestës pretenduan se në tubim morën pjesë mbi 126,000 persona, ndërsa policia lokale vlerësoi rreth 22,000 të tillë.

Kostoja e lartë e strehimit është bërë një çështje kryesore në Spanjë, ashtu si kriza e strehimit që po përjetohet në shumë pjesë të tjera të botës. Qiraja mesatare në vend është dyfishuar në 10 vitet e fundit - çmimi për metër katror ka shkuar nga 7.2 € në 2014 në 13 € këtë vit.

Një raport i Bankës së Spanjës thotë se gati 40% e spanjollëve që marrin banesa me qira shpenzojnë mesatarisht 40% të të ardhurave të tyre për strehim dhe shërbime komunale, shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 27%./ZËRI

Poll

MOS HUMB