
SPANJË- Rreth 170,000 njerëz kanë dalë në shesh të Madridit duke protestuar kundër ligjit katalanas për amnisti që i ka lejuar kryeministrit Pedro Sanchez të sigurojë një mandat të dytë në detyrë. Mediat vendase raportojnë se disa protestues mbanin pankarta ku edhe shkruheshin, “ndarja e pushteteve”, “tradhtarët” dhe “jo në emrin tim”, gjithashtu demostruesit brohorisnin “Sánchez të dorëhiqet”; “Viva España”. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe partitë e djathta që kanë kundërshtuar marrëveshjen për formimin e qeverisë.
Vendimi i kryeministrit Pedro Sanchez për të dhënë amnisti është parë si një masë egoiste dhe një shkelje e shtetit të së drejtës, duke çuar në grumbullime të vazhdueshme jashtë selisë së Partisë Socialiste në Madrid. Vendimi i Sanchez për të rënë dakord me amnistinë e propozuar, të cilën ai e kishte kundërshtuar në prag të zgjedhjeve, ka zemëruar kundërshtarët e tij politikë, të cilët e kanë akuzuar atë për hipokrizi, manovra cinike dhe vënien e mbijetesës së tij politike përpara interesave të vendit. Ky veprim ka zemëruar gjithashtu shumë spanjollë në të majtë dhe në të djathtë.
Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë (16 nëntor) udhëheqësi socialist Pedro Sánchez ka fituar një votim në parlament për të udhëhequr Spanjën për një mandat tjetër si kryeministër. Sanchez u tha deputetëve se marrëveshja e amnistisë do të ndihmonte në "shërimin e plagëve". Mbështetja e tij në dy parti pro-pavarësisë katalanase për të formuar një shumicë ka zemëruar kundërshtarët.