PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehet se javët e fundit puna e saj është përballur me fushatë baltosëse, me përpjekje të qëllimshme për të cenuar dinjitetin njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë. Osmani shton se kjo nuk ka të bëjë me kritikën apo llogaridhënien, por është përpjekja për ta kthyer një njeri në një objekt.
“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra.”
Osmani, e cila është ende presidente në fuqi, tha se nuk po flet si viktimë, por si një mbrojtëse e demokracisë. Ajo shton se propaganda mund të të kthej në një tradhtar brenda natës.
“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”
Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Dy kandidatë ishin të propozuar për president, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Fatmire Kollçaku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit. Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por të pranishëm ishin vetëm 66.
Osmani përsëriti disa herë se është detyruar ta shpërndajë Parlamentin sepse këtë ia dikton Kushtetuta. Presidentja e Kosovës njoftoi se menjëherë do të thërrasë partitë politike për të nisur diskutimet mbi caktimin e datës së re për zgjedhjet./ZËRI