
MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë të martën se kabineti i tij do të japë dorëheqje, të enjten, më 25 janar, për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.
“E gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje të enjten në ora 10:00. Kështu që askush nga ministrat nuk ka nevojë të jep dorëheqje, sepse me dorëheqjen e kryeministrit, e gjithë qeveria është në dorëheqje. Bëhet fjalë për zgjedhje, ku ju keni partitë politike të qendrës dhe të qendrës së majtë apo partitë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Por, në vendin tonë tani do të ketë zgjedhje në të cilat do të përballen partitë politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”,- deklaroi Kovaçevski.
Të enjten pritet të japë dorëheqje edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili do të zërë vendin e Kovaçevskit. Në seancë do të duhet të zgjidhet koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski për kryetar të ri të Kuvendit dhe më pas Xhaferi do të marrë mandatin si kryeministër i vendit.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 8 maj, mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale./ZËRI