SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot nisjen e një operacioni ushtarak në Iran, ndërsa raportohet se fillimin e sulmeve e vëzhgoi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, një pronë që prej vitesh është përdorur edhe për takime dhe konsultime mbi çështje të ndjeshme të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
"Menjëherë pas uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Palm Beach për një vizitë fundjave në pronën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Presidenti Donald Trump njoftoi "operacione të mëdha luftarake" në Iran që synojnë zhdukjen e programit të raketave balistike të Teheranit dhe dobësimin e regjimit të Ajatollah Ali Khameneit.", raportojnë mediat.
Por, Trump nuk ndodhej vetëm. Burime për mediat e huaja bëjnë me dije se Trump shoqërohej nga Pete Hegseth dhe Dan Caine, me të cilët kishte analizuar për javë me radhë skenarët dhe opsionet ushtarake ndaj Iranit.
Mësohet se ekipi: Trump, Hegseth dhe Caine, vendos në një ambient të sigurt brenda kompleksit për të monitoruar zhvillimin e operacionit, të cilin presidenti e përshkroi si “të përmasave të mëdha”.
Kjo nuk është hera e parë që rezidenca në Mar-a-Lago ka shërbyer si vend ku merren vendime të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe ushtarake gjatë periudhave të presidencës së Donald Trump.
-Në 2020, Trump zhvilloi diskutime me zyrtarë të lartë në një ambient të sigurt në Mar-a-Lago para se të autorizonte sulmin që çoi në vrasjen e komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani, një akt që rritti tensionet në Lindjen e Mesme.
-Në 2017, presidenti autorizoi një sulm me raketa Tomahaëk ndaj një baze ajrore siriane pas përdorimit të armëve kimike nga forcat e regjimit të Damaskut, një vendim që u mor edhe ai nga një dhomë e sigurt në të njëjtën pronë.
-Gjatë vitit të kaluar, ai ishte në Mar-a-Lago kur Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen, një operacion të cilin e paralajmëroi publikisht.
-Po ashtu sipas raporteve, ai monitoroi lëshimin e raketave Tomahaëk ndaj kampeve të dyshuara të ISIS-it në Nigeri në ditët e Krishtlindjeve dhe zhvillimin e një operacioni të planifikuar që synonte kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro
SHBA-të filluan të kryenin sulme ndaj Iranit në koordinim me Izraelin në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 28 shkurt, pasi negociatat bërthamore dështuan të prodhonin një marrëveshje që plotësonte të gjitha shqetësimet e administratës Trump, përfshirë edhe përfundimin e programit të saj të raketave.
"Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara filloi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm", tha Trump në një deklaratë video, të cilën e mbajti nga vendpushimi Mar-a-Lago.