Bota

Ali Khamenei fshihet në bunker? Kush është udhëheqësi suprem që drejton Iranin që nga viti 1989

Megjithatë, ai kishte shërbyer si president për dy mandate duke nisur nga viti 1981 dhe, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, u emërua Udhëheqës Suprem.

l.k
Ali Khamenei fshihet në bunker? Kush është udhëheqësi
Ali Khamenei

IRAN- Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit që nga viti 1989, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas sulmeve të fundit të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Sipas burimeve, ai është zhvendosur në një bunker nëntokësor, që dyshohet të ndodhet në zonën e Levizanit, në verilindje të Teheranit.

“Nuk është në Teheran”, ka thënë një zyrtar iranian për Reuters, “dhe ndodhet në një vend të sigurt”. Mendohet se në strehë me të mund të ndodhen edhe anëtarë të familjes, ndërsa vendndodhja e djalit të tij të dytë, Mojtaba, i konsideruar prej kohësh si pasardhësi më i mundshëm, nuk dihet ende.

Frika dhe pasiguria kanë përfshirë rrethin më të afërt të liderit që prej më shumë se tre dekadash drejton vendin me dorë të fortë. Pas asaj që u quajt “lufta 12-ditore” disa muaj më parë, Irani përballet sërish me një operacion të përbashkët ushtarak.

Objektivat e këtij operacioni u shpallën publikisht nga Donald Trump përmes një videoje në Truth Social: “Regjimi nuk do ta ketë kurrë armën atomike. Ky operacion është për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e Teheranit, i cili ka tentuar të rindërtojë programin e tij atomik dhe po zhvillonte raketa balistike me rreze të gjatë, të afta të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Do të godasim objektiva të regjimit dhe ushtarake, do të shkatërrojmë raketat e tyre, do të rrafshojmë strukturat e prodhimit të armëve dhe do të asgjësojmë flotën e tyre detare”.

Në deklaratat publike nuk përmendet drejtpërdrejt eliminimi i udhëheqësit suprem, megjithatë analistët vërejnë se situata ka shtuar masat e sigurisë rreth tij. Pas vrasjes së Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut në Liban, masat e sigurisë rreth ajatollahut janë rritur ndjeshëm. Për mbrojtjen e tij kujdeset Garda Revolucionare Islamike, përmes njësisë elitare “Vali Amr Protection Corps”.

“Askush nuk i beson më askujt”, ka thënë një burim, “është e qartë se Mossadi është infiltruar edhe mes njerëzve të tij më besnikë”.

Që prej marrjes së pushtetit në vitin 1989, Khamenei nuk ka udhëtuar jashtë Iranit. Ngjitja e tij në krye të Republikës Islamike erdhi pas vdekjes së themeluesit Ruhollah Khomeini dhe, sipas Gary Sick, ish-negociator i Shtëpisë së Bardhë gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979, kjo zgjedhje ishte e papritur.

‘Ishte surprizë’ kur ai mori drejtimin, pasi edhe pse kishte mbajtur poste të rëndësishme në strukturat revolucionare dhe shtetërore, ai nuk konsiderohej ndër figurat më të fuqishme të revolucionit. Ai ishte funksionar i lartë në Këshillin Revolucionar dhe kishte mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë zv.ministër i Mbrojtjes, por nuk ishte ndër figurat kryesore të revolucionit. Ishte klerik, por shumë klerikë të rangut të lartë nuk e konsideronin të kualifikuar për presidencën apo për të zëvendësuar Khomeinin.

Megjithatë, ai kishte shërbyer si president për dy mandate duke nisur nga viti 1981 dhe, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, u emërua Udhëheqës Suprem. Dhe menjëherë e quajtën ajatollah, edhe pse nuk ishte. Në atë kohë ai mbante gradën më të ulët fetare hojatoleslam, fakt që kritikët e përdorën për ta ironizuar, duke i vendosur nofkën “Shish Kelaseh”, “gjashtë klasë shkollë”.

Edhe pse nuk kishte karizmën e paraardhësit të tij, Khamenei arriti të forcojë kontrollin mbi shtetin përmes një aleance të ngushtë me konservatorët dhe Gardën Revolucionare. Sipas Mohsen Sazegara, ish-reformist që jeton në SHBA, ‘Kur u bë lider në 1989, ai hapi derën për Gardën Revolucionare në ekonomi dhe politikë, sidomos për të kundërshtuar lëvizjen reformiste’. Kjo marrëdhënie e ndërsjellë i dha regjimit stabilitet dhe forcë.

‘Në këtë rrugë, Khamenei e ka shndërruar Iranin në një lloj diktature që edhe vetë shahu do ta kishte ëndërruar’, ka deklaruar Sick.

Me origjinë azere, ai në rininë e tij njihej për pasionin ndaj letërsisë dhe poezisë, duke bërë një jetë modeste. Është i martuar me Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh dhe ka gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Stili i tij i jetesës përshkruhet si asketik dhe larg luksit. Një atentat në vitin 1981 i la një krah pjesërisht të paralizuar, ndërsa në vitin 2014 ai i mbijetoi kancerit. Sipas dëshmive, ai shpesh refuzon dhurata të shtrenjta ose i shet dhe të ardhurat i dhuron për bamirësi.

Megjithatë, regjimi i tij është akuzuar gjerësisht për shtypje të ashpër të kundërshtarëve. Protestat e Lëvizjes së Gjelbër në vitin 2009 dhe demonstratat “Grua, Jetë, Liri” në vitin 2023 u përballën me arrestime masive dhe viktima, duke treguar vendosmërinë e sistemit për të ruajtur pushtetin.

Nëse skenarët ekstremë do të përfshinin eliminimin e tij, pasojat mund të ishin të paparashikueshme. Emri i djalit të tij Mojtaba përmendet prej vitesh si kandidat për ta pasuar, por një tranzicion i tillë mund të shoqërohej me përplasje të brendshme dhe destabilizim të vendit. Ndikimi i Iranit në Siri, Liban, Irak dhe Jemen e bën çdo zhvillim të brendshëm një çështje me pasoja rajonale./ZËRI

Poll

MOS HUMB