Bota

Rrëfimet rrëqethëse nga Gaza: Gratë shtatzëna operohen pa anestezi

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se gati dy të tretat e klinikave shëndetësore në të gjithë Gazën nuk janë duke funksionuar, që do të thotë se shumica dërrmuese e grave shtatzëna dhe nënave do të kenë pak ose aspak akses në kujdesin obstetrik.

k.m.
Rrëfimet rrëqethëse nga Gaza: Gratë shtatzëna operohen
Foto ilustruese

GAZA- Mjekët në Gaza po sjellin në jetë foshnja pasi nënat e tyre vdesin gjatë lindjes dhe kryejnë operacione komplekse, duke përfshirë prerje cezariane, me elektrik dore. Madje po i nënshtrohen lindjeve me prerje cezariane edhe pa anestezi në Rripin e Gazës. Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), rreth 50,000 gra shtatzëna jetojnë në rajon, ndërsa mesatarisht 160 lindje pritet të ndodhin çdo ditë muajin e ardhshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se gati dy të tretat e klinikave shëndetësore në të gjithë Gazën nuk janë duke funksionuar, që do të thotë se shumica dërrmuese e grave shtatzëna dhe nënave do të kenë pak ose aspak akses në kujdesin obstetrik.

Ndërkohë, "ActionAid UK" ka paralajmëruar se mungesa e ushqimit po e bën më të vështirë për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijën me gji të prodhojnë qumështin që u nevojitet për të ushqyer foshnjat e tyre dhe për t'i mbajtur ato gjallë.

Nënat gjithashtu nuk kanë akses në ujë.

Një grua shtatzënë në Gaza, e quajtur Salma tha: Nuk ka ujë të mjaftueshëm për të pirë, për t'u larë apo ndonjë gjë tjetër. Nuk ka ushqim të mjaftueshëm, nuk ka shërbime shëndetësore dhe nuk ka energji elektrike. Si një grua shtatzënë , kam frikë për [fëmijën tim të palindur], pasi jam në muajin [e fundit] të shtatzënisë. Nuk ka ushqim apo ujë të mjaftueshëm për mua dhe foshnjën.

Dr. Nasser Fouad Bulbul, kreu i departamenteve të kujdesit të parakohshëm dhe neonatal në Spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në Gaza, tha të hënën, më 30 tetor, se ekipi i tij së fundi kreu një lindje të parakohshme të një foshnje ndërsa nëna po vdiste.

"Nuk e dimë fatin e të afërmve të tij dhe as nuk kemi informacion për identitetin e tij”.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, nga 8,525 personat që janë vrarë që nga fillimi i muajit, 3,542 prej tyre ishin fëmijë dhe 2,187 ishin gra. Numri i fëmijëve të raportuar të vrarë në Gaza në tre javët e fundit ka tejkaluar numrin vjetor të fëmijëve të vrarë në të gjitha zonat e konfliktit të botës që nga viti 2019

Izraeli nisi sulmet ajrore dhe operacionet tokësore kundër Gazës pasi terroristët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor dhe vranë 1,400 njerëz më 7 tetor. Të paktën 220 pengje u kapën gjithashtu dhe u dërguan në Gaza.

Ndërkohë, shpërndarja e ushqimeve dhe e furnizimeve mjekësore është gjithashtu problem në Gaza për shkak të mungesës kronike të karburantit, rrugëve të mbytura nga rrënojat dhe mbipopullimit të shkaktuar nga zhvendosja e civilëve. Në Gaza, ku më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.1 milion janë fëmijë, rreth 160 pritet të lindin çdo ditë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB