
KOSOVË- Presidentija e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar këtë të dielë pas mbylljes së procesit të votimit në katër komunat veriore, proces, i cili u bojkotua nga serbët. Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se kjo ka ndodhur për shkak të presionit të Beogradit dhe se presidenti serb Aleksandër Vuçiç shkeli fjalën që u kishte dhënë ndërkombëtarëve. Në fund, Osmani shkruan se Kosova tregoi maturi dhe përkushtim ndërsa masat ndëshkimore ndaj saj duhet të hiqen menjëherë.
POSTIMI:
Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë.
Pse po mbahen votimet?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në maj 2023, kur këta kryetarë, përjashtuar Atiqin, shkuan në zyret e tyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët. Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.
Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët. Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme, nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.
Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet./ZËRI