SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet së shpejti, ndërsa zhvillohen bisedime të nivelit të lartë midis delegacioneve amerikane dhe iraniane.
Trump ka pretenduar se SHBA-të kanë filluar pastrimin e minave në ngushticën e Hormuzit "si një favor për vendet në të gjithë botën". Në një postim në aplikacionin e tij Truth Social, presidenti amerikan tha se anijet e minimit të Iranit “janë gjithashtu të shtrira në fund të detit”.
"Tani po fillojmë procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit si një nder për vendet në të gjithë botën, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën, Gjermaninë dhe shumë të tjera. Çuditërisht, ata nuk kanë guximin ose vullnetin për ta bërë këtë punë vetë.", shkruan ndër të tjera Trump.
Komentet e tij vijnë ndërsa delegacione nga SHBA dhe Iran po zhvillojnë bisedime në Islamabad, në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të arritur një marrëveshje të përkohshme.
Përfaqësues nga SHBA-ja dhe Irani filluan bisedimet e organizuara nga Pakistani në Islamabad të shtunën, mes një armëpushimi të brishtë në konflikt./ZËRI