
CNN raportoi sot se inteligjenca amerikane ka marrë informacione të shumta javët e fundit në lidhje me një komplot iranian për të vrarë ish-presidentin Donald Trump.
Ndërsa sipas disa zyrtarëve, nuk ka asnjë tregues se autori 20-vjeçar i atentatit, në fushatën e Trump në Pensilvani, kishte lidhje me planin e thurur nga Irani për konmplot.
Nga ana tjetër, Teherani hodhi poshtë akuzat për një komplot iranian për të vrarë Trump.
Irani e ka përshkruar si "të pabazë dhe keqdashës" informacionin e raportuar më herët nga CNN se agjencitë e inteligjencës amerikane janë informuar për një komplot iranian për të vrarë ish-presidentin Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte, por një zëdhënës i Këshillit të Sigurimit kujtoi se kërcënimet iraniane kundër ish-presidentit dhe zyrtarëve të administratës së tij datojnë vite më parë dhe lidhen me dëshirën e Teheranit për t'u hakmarrë për vrasjen e gjeneralit Soleimani në janar 2020.
“Për Republikën Islamike të Iranit, Trump është një kriminel që duhet të ndiqet penalisht dhe të dënohet në gjykatë për urdhërimin e vrasjes së gjeneralit Soleimani”, tha delegacioni iranian në OKB në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Teherani shtoi se Irani "ka zgjedhur rrugën ligjore" për ta mbajtur Donald Trumpin përgjegjës. /ZËRI/