
BRITANI E MADHE- Louise Shackleton nuk e priste se vendimi i saj për të qëndruar pranë bashkëshortit të saj deri në momentin e fundit do i hapte probleme me ligjin. Ajo aktualisht po hetohet në Britannë e Madhe për ndihmë dhe nxitje për vetëvrasje. Siç raporton rrjeti britanik "Sky News", burri i saj, Anthony, vdiq dhjetorin e kaluar nga eutanazia, një praktikë që e kreu në klinikën e njohur "Dignitas" në Zvicër. Vendimin e mori pasi një beteje 6-vjeçare me sëmundjen e neuroneve motorike.
Ajo e pranon hapur aktin e saj: Kam kryer një krim, e pranoj. E ndihmova të hipte në aeroplan dhe isha me të. Nuk pendohem për asnjë moment. Ai ishte burri im dhe unë e doja atë.
Por Shackleton thotë se vendimi i burrit të saj ishte rezultat i shumë diskutimeve: Ne e kishim diskutuar në thellësi për dy vjet. Ai më thoshte: "Shiko opsionet e mia. Ose do të vdes i qetë, me dinjitet, pa dhimbje, ose do të përfundoj në një shtrat, i pafuqishëm, i paaftë të shikoj përreth nëse ti nuk ma kthen kokën".
Në Britani, vetëvrasja me ndihmën e mjekut është e paligjshme, megjithëse ndjekjet penale janë relativisht të rralla. Një zëdhënës i policisë së North Yorkshire konfirmoi se rasti ishte nën hetim, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërhyrja publike e Shackleton përkon me votimin e ardhshëm në parlamentin britanik mbi projektligjin e propozuar për të ndihmuar vdekjen. Nëse miratohet, legjislacioni do t'i lejojë pacientët me jetëgjatësi më pak se gjashtë muaj të zgjedhin ligjërisht t'i japin fund jetës së tyre me eutanazi.
"Ai ishte plotësisht i qetë me vendimin e tij"
Shackleton i përshkruan ditët e tyre të fundit në Zvicër si "të mrekullueshme".
“Ai qeshte, ishte plotësisht i pajtuar me vendimin e tij. Në ato katër ditë kuptova se ai donte një largim paqësor më shumë sesa të qëndronte me mua. Ishte e vështirë, por tregoi se sa i vendosur ishte. Momenti më i vështirë erdhi pas vdekjes së tij. Isha në panik dhe frikë se po e lija pas. Ishte e frikshme. Po të kishte ndryshuar ligji, do të ishim bashkë me familjen, të gjithë mund t'i thoshin lamtumirë. Por kjo nuk ishte e mundur."
Rasti po rindez debatin publik në Britani rreth eutanazisë. Kundërshtarët e ligjit të propozuar paralajmërojnë rrezikun e manipulimit të individëve vulnerabël dhe ndryshimin e qëndrimit të shoqërisë ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve.
Louise Shackleton vendosi të fliste për historinë e tyre për shkak të një premtimi që i kishte dhënë bashkëshortit të saj./ZËRI