Bota

Albin Kurti: Në Bruksel po luhet skenar 'Lajçak-Vuçiç'

Kurti deklaroi se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kishin kërkuar të kalohet te pika për negocim për Asociacion.

D.XH
Albin Kurti: Në Bruksel po luhet skenar
Kryeministri i Kosoves Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për mediat ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, ka refuzuar që marrëveshja bazike të nisë të zbatohet nga neni për Asociacionin. Në fjalën e tij, Kurti tha se në takim kishte shkuar edhe me propozim, por që propozimi i tyre është refuzuar. “Kam shkuar në takim me një propozim konkret. Ne parashikuam një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike, propozimi ynë bazohej në parimin gjithëpërfshirës, që nënkupton që çdo nen e çdo përcaktim do të përfshihej në planin e zbatimit. Parimin e gjithëpërfshirës nuk e kam zbuluar unë, as nuk është diçka e pazakontë në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në aneksin e marrëveshjes thuhet se çdo nen i marrëveshjes duhet zbatuar, kjo është e zakonshme dhe logjike në zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Kurti deklaroi se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kishin kërkuar të kalohet te pika për negocim për Asociacion.

“Në takimin që pata me Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak, m’u kërkua të kaloj në proces të negocimit në lidhje me nenin 10, ju bëra të qartë që një hap i tillë nuk mund të ndërmerret. Ju bëra të qartë që hapi i parë duhet të jetë dakordim. Nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Nuk arritëm mirëkuptim, qëndrimi i tyre ishte që zbatimi i marrëveshjes do të duhet të bëhej që të ishte e pranueshme për Serbinë, ku Vuçiç dëshironte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellët”, deklaroi kryeministri.

Kurse, në takimin e dytë, kryeministri tha se ishte ekspozuar para një skenari që ishte rregulluar paraprakisht nga Miroslav Lajçak.

“Në takimin e dytë, me Vuçiçin u ekspozova para një skenari, ku Lajcak e kishte dizajnuar kohë më parë. Ua propozova planin e punuar nga Kosova, është dokumenti i parë që e propozoj në nivel të lartë, presidenti Vuciç dhe Lajçak reaguan me të njëjtin mendim, të dy thanë se ky plan është jo realist, dhe rruga e vetme përpara është statuti i Asociacionit. Pasi u refuzova ua shtrova një pytje, nëse po refuzoni propozimin tim, më thoni nëse Serbia ka bërë plan, Lajçak tha po, Serbia tha se po. Unë insistova që ta shoh propozimin”, tha mes tjerash kryeministri i Kosovës.

Gjithashtu, Kurti tha mes tjerash se Lajçak dhe Vuçiç ishin koordinuar që marrëveshja të zbatohet vetëm në disa pika që janë në interes të tyre. Deri më tani nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga Lajçak apo presidenti serb Vuçiç si kundërpërgjigje ndaj akuzave të Kurtit, por së shpejti pritet edhe një reagim zyrtar. Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë. Më 20 tetor, në mediat e Kosovës është publikuar një i ashtuquajtur draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që thuhet të jetë punuar nga disa ekspertë gjermanë. Pikërisht formimi i mundëshëm i asocacionit ka percipituar në përplasje verbale të shumta mes palëve.

Raundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve. Ky ishte takimi i parë mes Vuçiçit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit. Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili "e ka pranuar propozimin e tyre" për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Kurti në Bruksel tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së". Ndërsa sipas Vuçiçit, Kurti, thjesht, "i shmanget formimit të Asociacionit... ky është thelbi i gjithçkaje"./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB