SHBA-Ka përfunduar afati 60-ditor i vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë, por palët nuk kanë arritur ende asnjë plan konkret.
Afati ishte pjesë e një Memorandumi Mirëkuptimi të nënshkruar më 17 qershor nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, pas më shumë se tre muajsh konflikti të ashpër. Marrëveshja e përkohshme synonte ndalimin e armiqësive dhe hapjen e rrugës për një marrëveshje përfundimtare që do t’i jepte fund konfliktit në disa fronte.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se planifikon të shkurtojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke përmendur mungesën e ndihmës së vendit me luftën e Iranit dhe marrëdhënien e tij të ngrohtë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Nga ana tjetër dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa ndërmjetësit kërkojnë të ringjallin planin e paqes së presidentit amerikan në Gaza, të cilin Izraeli e ka refuzuar. Kushner më parë u takua me udhëheqësin e Hamasit, Khalil al-Hayya, në Egjipt.
Trump ka deklaruar se presioni ekonomik ndaj Iranit është pjesë e strategjisë së SHBA-së. Në fillim të këtij muaji, ai tha se Uashingtoni po e vëzhgonte Iranin teksa përballej me inflacion të lartë dhe mungesë parash. Nga ana tjetër, Teherani nuk ka dhënë sinjale për rikthim të menjëhershëm në negociata.
Ndërkohë sipas një raportimi të “Wall Street Journal”, Irani e shihte marrëveshjen e arritur në qershor jo si fundin e konfliktit, por si një periudhë për të riorganizuar dhe forcuar kapacitetet ushtarake. Sipas gazetës amerikane, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, figura të vijës së ashpër në udhëheqjen iraniane vendosën të përgatiteshin për një përballje të ardhshme me SHBA-në dhe Izraelin.
Raportimi thotë se Irani ndërmori ndryshime në strukturën e komandës ushtarake, duke i dhënë më shumë kompetenca Gardës Revolucionare Islamike. Në pozicione të rëndësishme u emëruan gjithashtu komandantë veteranë, ndërsa Teherani përshpejtoi prodhimin e raketave dhe dronëve.