
OSLO- Djali 27-vjeçar i princeshës norvegjeze Mette-Marit, gruaja e princit të kurorës Haakon, u arrestua gjatë fundjavës pasi u akuzua për sulm ndaj një gruaje. Marius Borg Hoiby lindi në 1997 nga një lidhje para se princesha të martohej me mbretin e ardhshëm të Norvegjisë në 2001. Policia tha se ata u thirrën në një adresë në Oslo pas një sherri natën vonë në një apartament. Një person në të 20-tat u arrestua për ngjarjen dhe u lirua të nesërmen.
“Meqenëse është bërë e ditur nga disa media se ky (person) është Marius Borg Hoiby, policia konfirmon se ai është i dyshuar”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve.
I riu, i cili mësohet se kishte një lidhje me të dhunuarën, është arrestuar dhe është bërë analiza e gjakut për të zbuluar nëse ishte nën efektin e drogës. Familja mbretërore nuk ka komentuar mbi incidentin. Hoiby u rrit nga Mette-Marit dhe Haakon së bashku me gjysmëvëllezërit e tij, princeshën njëzet vjeçare Ingrid Alexandra dhe princin tetëmbëdhjetë vjeçar Sverre Magnus, por ndryshe nga ata ai nuk ka asnjë rol zyrtar publik.
Në fakt, kur Borg Hoiby mbushi 20 vjeç, shtëpia mbretërore lëshoi një deklaratë në të cilën thuhej se i riu do të distancohej nga jeta publike dhe profili i tij u hoq nga faqja zyrtare e familjes. Në Norvegji dënimi për lëndime personale është gjobë dhe burgim deri në një vit.
“Akuza ka të bëjë me lëndimin trupor, i cili sipas ligjit paraqet formën më pak të rëndë të dhunës. As klienti im dhe as unë nuk jemi vënë në dijeni për ngjarjen dhe ne nuk kemi diskutuar ende se çfarë ndodhi në të vërtetë. Prandaj, nuk mund të them shumë tani”, tha avokati i Borg Hoiby, Oyvind Bratlien, siç raportohet nga tabloidi Dagbladet.
Sipas të njëjtës gazetë, Mette-Marit duhej të merrte pjesë në finalen e 1500 metrave për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit, por Princi i Kurorës Haakon u shfaq i vetëm në tribunë. /ZËRI