ITALI-Një hetim i madh i Prokurorisë së Napolit ka zbuluar një rrjet policësh dhe agjentësh privatë që dyshohet se kanë vjedhur dhe shitur mbi një milion informacione sekrete nga databazat shtetërore italiane, duke përfshirë të dhëna për futbollistë të njohur, këngëtarë, personazhe të spektaklit dhe sipërmarrës.
Operacioni, i cili filloi në orët e para të mëngjesit midis Napolit, Romës, Ferrarës, Bellunos dhe Bolzanos, u koordinua nga Prokuroria e Napolit, e kryesuar nga Nicola Gratteri, në koordinim me Prokurorinë Kombëtare Antimafia, të kryesuar nga Giovanni Melillo dhe prokurorin Antonello Ardituro. Aksioni kishte në shënjestër një organizatë kriminale të dedikuar për akses të paautorizuar në sistemet kompjuterike, korrupsion dhe zbulim të sekreteve zyrtare, raportojnë mediat fqinje.
"Ata nxorën informacione konfidenciale mbi futbollistët, biznesmenët, artistët, këngëtarët dhe aktorët nga bazat e të dhënave përmes aksesit të paautorizuar dhe ua shitën këto informacione agjencive."-u shpreh Prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, duke dhënë detaje lidhur me operacionin e madh policor që çoi në shpërbërjen e një organizate kriminale.
Gjatë një kontrolli, u gjet një skedar Excel që përmbante listën e çmimeve që rregullonte kërkesat e bëra nga agjentët mashtrues në këmbim të informacionit të mbledhur përmes aksesit të tyre të paautorizuar në bazat e të dhënave konfidenciale. Shifrat varjonin nga 6 deri në 25 euro në varësi të llojit të kërkimit: nga bazat e të dhënave të rezervuara për agjencitë e zbatimit të ligjit deri te ato të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (INPS), Agjencisë Italiane të të Ardhurave ose Shërbimit Postar.
Sipas hetimeve, policë të paautorizuar përdornin kompjuterë dhe fjalëkalime për të hyrë në sistemet shtetërore dhe për të nxjerrë informacione konfidenciale që më pas u shiteshin agjencive private të hetimit. Autoritetet italiane thonë se janë identifikuar mijëra persona të dëmtuar nga rrjedhja e të dhënave.
Prokurori Gratteri deklaroi se informacionet për personazhe të njohur kishin vlerë të madhe ekonomike dhe përdoreshin në konflikte private, hetime të paligjshme apo për interesa biznesi. Hetuesit kanë sekuestruar edhe një server që shërbente për grumbullimin dhe shpërndarjen e të dhënave të vjedhura.