Bota

OBSH: Nuk ka shenja për shpërthim masiv të Hantavirusit

Simptomat mund të përfshijnë ethe, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, dhimbje stomaku, të vjella, diarre.

F.I
OBSH: Nuk ka shenja për shpërthim masiv të Hantavirusit
FOTO ILUSTRUESE

SHBA-Nuk ka "asnjë shenjë" të një shpërthimi më të madh të hantavirusit pas evakuimit të pasagjerëve të fundit nga një anije turistike e prekur nga sëmundja, tha kreu i agjencisë shëndetësore të OKB-së. Megjithatë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se "situata mund të ndryshojë" dhe mund të ketë më shumë raste të konfirmuara të virusit.

Sipas OBSH-së, deri tani janë konfirmuar nëntë raste me Hantavirus. Tre persona kanë humbur jetën pas udhëtimit me anije, përfshirë një shtetas holandez 70-vjeçar, i cili dyshohet të ketë qenë ndër të infektuarit e parë, shkruan BBC.

Një shtetase franceze ndodhet në gjendje të rëndë në kujdes intensiv në Paris dhe mjekët e përshkruajnë gjendjen e saj si formën më të rëndë të sëmundjes, duke u trajtuar me aparat të mushkërisë artificiale. Një pacient spanjoll ka simptoma më të lehta respiratore dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. 

Simptomat mund të përfshijnë ethe, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, dhimbje stomaku, të vjella, diarre.

Masat

Në Holandë, 12 punonjës spitali janë vendosur në karantinë pas një ekspozimi të mundshëm gjatë trajtimit të mostrave biologjike të një pacienti të evakuuar. Në Spanjë, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi një rast pozitiv mes 14 personave të izoluar në Madrid, të gjithë pasagjerë të evakuuar nga anija.

Në Itali po analizohen mostra biologjike të një personi me simptoma që ka udhëtuar në të njëjtin avion me një grua e cila më vonë ka ndërruar jetë nga virusi. Mostrat po dërgohen në institutin “Spallanzani” në Romë për analiza të mëtejshme.

Në Francë, autoritetet shëndetësore thonë se situata është “nën kontroll”. Një paciente ndodhet në kujdes intensiv, ndërsa katër të tjerë kanë rezultuar negativë pas testimeve. Gjithashtu, 22 kontakte të afërta janë vendosur në izolim për të paktën dy javë. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut po trajtohen gjithashtu dy shtetas britanikë.

Poll

MOS HUMB