PRISHTINË- Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë të martën se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja,”- tha Supremja.
Ajo tha se për të ishte “i pakontestueshëm fakti” se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.
Murati e ka kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar si absurd dhe duke i kritikuar ashpër me emër gjyqtarët e Supremes.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, tha Murati.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha në një reagim në Facebook se Gjykata Supreme e “qartësoi përfundimisht” se ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, tha ai.
Ligji për Qeverinë saktëson se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon qartë ndërmarrjen e vendimeve madhore. Ligji për Qeverinë e Kosovës, i miratuar nga Qeveria e fundit e Albin Kurtit në vitin 2022, parasheh se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit (që është rasti në situatën aktuale), me votimin e suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, me dorëheqjen e kryeministrit, apo me shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas tij, nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Kështu thuhet në nenin 26 të këtij ligji, i cili ka të bëjë me papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë është bërë më 27 mars nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe para asaj date nuk ka pasur dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë Kurti 2.
Albin Kurti më 27 mars shkroi në Facebook se mandati i tij katërvjeçar përfundoi më 23 mars, dhe pretendoi se sipas Ligjit për Qeverinë, nuk ka nevojë për një akt shtesë dhe formal të dorëheqjes nga posti. Ai citoi nenin që përcakton se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon nëse përfundon mandati i rregullt i Qeverisë.a/REL