
SHBA-Presidenti i SHBA Donald Trump pretendon se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy është i gatshëm t’i dorëzojë Krimenë Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Trump i bëri komentet para gazetarëve pasi u kthye nga Vatikani, ku zhvilloi një takim të shkurtër me Zelenskyn përpara funeralit të Papa Françeskut.
Sipas presidentit amerikan, takimi “shkoi mirë”, ndërsa u fol “shkurt edhe për Krimenë”. Sipas Trump, Zelenskyy dukej më i qetë, duke kujtuar kështu tsakimin e tensionuar mes tyre në Zyrën Ovale.
'Zelenskyy po bën një punë të mirë dhe dëshiron një marrëveshje. Ka kërkuar më shumë armë, por ai gjithmonë e bën këtë”-u shpre Trump.
Pas takimit në Shën Pjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte kritikuar Putinin, duke thënë se nuk kishte arsye për të vazhduar të bombardonte civilët dhe duke kërcënuar me sanksione të reja më të ashpra, nëse nuk do të negocionte seriozisht për paqe. Dje presidenti u rikthye te ky koncept, duke dhënë përshtypjen se po humbet vërtet durimin me rivalin rus, që është bërë pengesa e vërtetë për paqe: Do të shohim çfarë ndodh me Rusinë. Më ka befasuar dhe zhgënjyer. Putini duhet të ndalojë të qëllojë dhe të negociojë.
Pastaj paralajmëroi kreun e Kremlinit, duke përsëritur se ka shumë mjete për ta shtyrë atë të pranojë një negociatë serioze dhe të ndershme. Disa orë më parë, ishte sekretari i Shtetit Rubio që komentoi bisedën e Shën Pjetrit, duke pranuar se një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit “ende nuk ka."
Raportet sugjerojnë se Ukrainës mund t’i kërkohet të heqë dorë nga pjesë të mëdha të tokës së kapur nga Rusia, përfshirë Krimenë. Shtetet e Bashkuara ndërkohë, kanë paralajmëruar kohët e fundit se do të largohen nga negociatat nëse nuk arrihet përparim. Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe Moska aktualisht kontrollon pothuajse 20% të territorit ukrainas.
Ndërkohë as Zelenskyy dhe as presidenti rus Vladimir Putin nuk u janë përgjigjur publikisht komenteve të fundit të Trump./ZËRI