ITALI- Një rast i tmerrshëm u zbulua të enjten në mëngjes në Udine, në veri të Italisë, kur autoritetet zbuluan trupin e copëtuar të 35-vjeçarit Alessandro Venier në dhomën e magazinimit të shtëpisë së tij. Krimi brutal dyshohet se është kryer nga nëna dhe partnerja e tij, të cilat e kanë pranuar krimin.
Dy gratë - partnerja 30-vjeçare e viktimës, me origjinë nga Kolumbia, dhe nëna e tij, e njohur në komunitetin vendas si infermiere - ishin ato që telefonuan autoritetet rreth orës 10:30 të mëngjesit. Kur karabinierët mbërritën në banesën në Via dei Lotti, panë një pamje të tmerrshme: trupin e 35-vjeçarit, në gjendje dekompozimi, i cili ishte copëtuar dhe vendosur në një kosh të madh në depo, i mbuluar me shtresa gëlqereje, ndoshta për të mbuluar erën dhe për të vonuar dekompozimin.
Dy gratë janë marrë në pyetje për orë të tëra, ndërsa prokuroria e Udines ka marrë përsipër çështjen. Edhe pse ato kanë pranuar përfshirjen e tyre në krim, ende nuk është sqaruar se cilat ishin motivet e tyre. Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi pas një grindjeje për një çështje të parëndësishme.
Venier kishte pasur së fundmi një vajzë gjashtëmuajshe me partneren e tij, e cila është marrë nga shërbimet sociale të bashkisë. Lajmi ka tronditur komunitetin vendas. Fqinjët thonë se janë të tronditur, pasi nëna e viktimës ishte një person shumë i dashur dhe i njohur në zonë./ZËRI