
GREQI- Një sasi e madhe prej 102 kilogramësh lëndë narkotike e llojit marjuanë, është kapur në orët e para të mëngjesit, në zonën e Igumenicës në Greqi. Rreth orës 02.25të mëngjesit, policia i ka ngritur postobllok një makine me targa HNE-9563, e cila pas verifikimeve rezultoi që të ishte në pronësi të sektorit të antidrogës së Igumenicës. Automjeti nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar, dhe ka shtuar shpejtësinë, duke përplasur 3 makina të tjera që ishin të parkuara.
Efektivët që ishin në operacion kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar shoferin dhe pasagjerin. Drejtuesi i mjetit u identifikua si Konstantinos Nakos, 41 vjeç, oficer i sektorit të anti-drogës së policisë së Igumenicës ndërsa pasagjeri, Arben Murto, 41 vjeç nga fshati Shalës i Bashkisë Konispol. Brenda mjetit janë gjetur dhe sekuestruar 19 pako me 102 kg 670 gramë marijuanë, të cilat dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale.
Nga hetimet rezulton se oficeri Konstantinos Nakos ka qenë në detyrë patrullimi të planifikuar në oraret 22.00 – 06.00 së bashku me oficerin tjetër të anti-drogës, Dimitrio Oikonomou, 50 vjeç, i cili gjatë operacionit rezultoi se ndodhej brenda një kafeneje në Sajadhë, pranë kufirit greko-shqiptar.
Gjatë kontrollit në mjet u gjet gjithashtu pistoleta e oficerit Oikonomou. Veç dy të arrestuarve të parë, me urdhër të Prokurorit, u arrestua edhe oficeri 50 vjeçar. Prej fillimit të vitit, policia greke ka sekuestruar rreth 640 kg marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria./ZËRI