MAL I ZI- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Mal të Zi, ku 3 persona janë gjetur të vrarë në një poligon qitjeje, në Danilovgrad. Viktimat janë identifikuar si Petar Globareviç, 24 vjeç, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, të dy nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danilovgradi.
Sipas mediave vendase, policia malazeze u bëri thirrje qytetarëve të Podgoricës dhe rrethinave të saj të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi trupat e tre të rinjve u gjetën në poligonin e qitjes "Češka zbrojevka", në periferi të kryeqytetit malazez.
Autorietet kanë shpallur në kërkim të shtetasit rus Mikhail Shabunin (30), i cili dyshohet si autori i krimit makabër. Raportohet se ai është arratisur me një Seat Cordoba PG AC 472 pasi kreu vrasjet, mjeti në pronësi të babait të njërës prej viktimave. Policia po punon intensivisht për gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit.
"U bëjmë thirrje qytetarëve, nëse kanë informacione rreth të dyshuarit ose e vënë re personin në fjalë, të raportojnë vendndodhjen dhe lëvizjen e këtij personi në Drejtorinë e Policisë në numrin pa pagesë të policisë 122, nëpërmjet aplikacionit Police Montenegro (Stacioni Virtual i Policisë) ose në çdo mënyrë tjetër. Informacioni rreth personit mund t'i jepet policisë edhe në mënyrë anonime. U kërkojmë qytetarëve të ndihmojnë në gjetjen e këtij personi, duke vënë në dukje se çdo fshehje e informacionit rreth personit që kërkohet përbën vepër penale", njoftoi Drejtoria e Policisë.
Departamenti i Policisë i ka paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ndërsa kërkojnë autorin e dyshuar të armatosur të një vrasjeje të trefishtë./ZËRI