
UASHINGTON- Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka filluar tashmë të prezantojnë kabinetin e tij qeveritar. Trump tha se ka zgjedhur ish-ambasadorin e Arkansas, Mike Huckabee për të shërbyer si ambasador i SHBA në Izrael.
“Mike ka qenë një punonjës i madh publik, guvernator dhe udhëheqës, për shumë vite. Mike e do Izraelin, dhe popullin e Izraelit, dhe po ashtu, populli i Izraelit e do atë. Ai do të punojë pa u lodhur për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme!”.
Posti kërkon miratimin nga Senati, megjithëse Huckabee nuk ka gjasa të përballet me pengesa të mëdha për konfirmimin në Dhomën e Sipërme, ku republikanët pritet të mbajnë të paktën 52 vende.
Huckabee është ndër zgjedhjet e hershme të shpallura nga presidenti i zgjedhur teksa ai fillon ndërtimin e kabinetit të tij dhe posteve të tjera kyçe. Midis tyre janë republikania Elise Stefanik si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara dhe republikani Michael Waltz si këshilltar për sigurinë kombëtare.
Huckabee shërbeu si guvernator i Arkansas nga viti 1996 deri në 2007, por ai nuk arriti të fitojë nominimin presidencial republikan në 2008 dhe 2016. Pas largimit nga detyra, ai drejtoi një emision në Fox News dhe një program radiofonik. Ai është një mbështetës i Izraelit dhe ka thënë se e ka vizituar vendin më shumë se 100 herë gjatë 50 viteve.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, të cilin Presidenti Biden e mbajti po në të njëjtin vend dhe nuk e ndryshoi.
Nëse konfirmohet vitin e ardhshëm, Huckabee do të marrë postin në mes të luftës së Izraelit me Hamasin dhe mbajtjes së dhjetëra pengjeve izraelite nga Hamasi, duke përfshirë katër shtetas amerikanë. Diskutimet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit kanë ngecur në mënyrë të përsëritur, dhe të shtunën, Katari, një ndërmjetës me Hamasin, njoftoi se kishte pezulluar përpjekjet e tij dhe do t’i rifillonte ato kur “palët të tregojnë vullnetin dhe seriozitetin e tyre për t’i dhënë fund luftës brutale dhe vuajtjet e vazhdueshme të civilëve”. /ZËRI