
SLLOVAKI-Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka postuar të mërkurën një fjalim në internet, në paraqitjen e tij të parë që kur u plagos rëndë në një atentat tre javë më parë.
Në fjalimin e tij pak para zgjedhjeve evropiane, Fico ka thënë se sulmi shkaktoi dëme serioze në shëndetin e tij, duke shtuar se “do të jetë një mrekulli e vogël nëse kthehem në punë pas disa javësh”, raportojnë mediat e huaja.
Fico ka thënë se ai duhet të kthehet në punë në fund të qershorit dhe korrikut dhe se nuk ndjen “asnjë urrejtje” ndaj sulmuesit të tij.
“Unë e fal atë. Në fund të fundit, është e qartë se ai ishte vetëm një lajmëtar i së keqes dhe urrejtjes politike”, ka deklaruar kryeministri sllovak.
Fico është shëruar nga plagët e shumta pasi u qëllua në bark teksa përshëndeti mbështetësit më 15 maj në qytetin Handlova, rreth 140 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Bratislavë. Një sulmues u arrestua. Sulmuesi i dyshuar, 71-vjeçari Juraj Cintula, është lënë në paraburgim i akuzuar për tentativë vrasje./ZËRI