LIVE UPDATES

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico, autori një shkrimtar, zbardhet DËSHMIA

➤ Atentat kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico. Ai është plagosur me armë zjarri teksa dilte nga mbledhja e qeverisë. Fico u qëllua të paktën tre herë nga shkrimtari 71-vjeçar Juraj Cintula. ➤ Ky i fundit, siç raportojnë mediat sllovake, ka deklaruar se sulmin e ka kryer pasi nuk ishte dakort me politikat e qeverisë. Në pamjet e transmetuara nga sulmi, Fico qëllohet teksa afrohet për të takuar njerëzit që ishin mbledhur jashtë ndërtesës ku u mblodh qeveria. Autori ishte fshehur në mes të turmes. ➤ Kryeministri Robert Fico, ndodhet në gjendje kritike për jetën, thanë më herët zyrtarë të lartë të qeverisë së tij. ➤ Në lidhje me ngjarjen që tronditi këtë të mërkurë Sllovakinë, kanë reaguar liderët e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe liderë nga vende të ndryshme të botës.

14 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

DEL VIDEO e autorit që i bëri atentat kryeministrit sllovak, ja çfarë thotë

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Juraj Cintula

SLLOVAKI- Dalin pamjet e para të autorit të atentatit ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico, Juraj Cintula. Në pamjet e publikuara nga mediat sllovake, shkrimtari 71-vjeçar që qëlloi kryeministrin Fico, tha se e bëri këtë sepse nuk pajtohej me politikat e qeverisë. Ai po mbahet në polici ku do të vijojë marrja në pyetje. Ndërkohë kryeministri, i cili dyshohet se ka marrë tre plumba, ndodhet ende në sallën e operacionit në gjendje kritike për jetën./ZËRI

1 VITE ME PARE

Ministri i Brendshëm sllovak: Atentati ndaj kryeministrit ishte i motivuar politikisht

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Ministri gjatë konferencës

SLLOVAKI- Përpjekja për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico ishte e motivuar politikisht, tha ministri i brendshëm i vendit Matush Šutaj Eštok, duke shtuar se informacioni bazohet në "intervista fillestare me të dyshuarin". Sipas tij, kryeministri mbetet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vijon të jetë në sallën e operacionit.

"Kjo tentativë për vrasje ishte e motivuar politikisht dhe i dyshuari mori vendimin për ta bërë atë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale," tha Ministri i Brendshëm në një konferencë shtypi jashtë spitalit në Banska Bystrica, ku po trajtohet kryeministri./ZËRI

1 VITE ME PARE

Iu bë atentat/ Ministri i Mbrojtjes: Kryeministri ende në operacion! Gjendja e tij është shumë e keqe

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Momenti kur mbërrin në spital

SLLOVAKI- Ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Robert Kaliňák, ka thënë se kryeministri i vendit, Robert Fico, është ende duke iu nënshtruar një operacioni dhe është në gjendje "jashtëzakonisht të rëndë". Në një konferencë për mediat jashtë spitalit në Banská Bystrica, ai tha se punonjësit mjekësorë po bëjnë maksimumin për ti shpëtuar jetën Ficos, i cili pësoi "politraumë të rëndë pas disa të shtënash".

"Shëndeti i Ficos është serioz, gjendja e tij është e keqe," tha ai.

Kaliňák tha se operacioni tani ka vazhduar për tre orë e gjysmë dhe se më shumë informacion mjekësor do të ketë më vonë./ZËRI

1 VITE ME PARE

DALIN PAMJET, ky është momenti kur autori qëllon 5 herë drejt kryeministrit sllovak

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Momenti kur qëllon kryeministrin sllovak

SLLOVAKI- Pamjet që po shihni tregojnë momentin kur autori Juraj Tsintula, 71 vjeç qëllon me armë zjarri Kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico. Në pamje ai shihet se qëndron mes turmes, ndërsa kryen pesë qitje me pistoletë në momentin që Fico afrohet të përshëndesë turmën. Raportohet se tre plumba kanë prekur Ficon. Ky i fundit, sipas mediave të huaja, ka marrë një plum në krahë, një në këmbë dhe një në bark. Ai ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë vijon të jetë në sallën e operacionit./ZËRI

1 VITE ME PARE

Iu bë atentat/ Kryeministri sllovak u qëllua me tre plumba, në këmbë, bark dhe krahë

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Momenti kur truprojat e fusin në makinë të plagosur

SLLOVAKI- Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, të cilit iu bë atentat pak minuta më parë raportohet se ka marrë tre plumba. Mediat e huaja shkruajnë se Fico, ka marrë një plumb në bark, një në krah dhe një në këmbë. Ndërkohë policia ka vënë në pranga autorin. Ai është identifikuar si Juraj Tsintula, një shrkrimtar i njohur në vend. Ndërkohë Fico ndodhet ende në sallën e operacionit, në luftë për jetën për shkak të plagëve të marra./ZËRI

1 VITE ME PARE

Qëlloi me armë zjarri kryeministrin sllovak, autori shkrimtar i njohur

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Autori

SLLOVAKI- Juraj Tsintula, 71 vjeç është autori që qëlloi me armë zjarri kryeministrin sllovak Rober Fico, pak orë më parë, teksa ky i fundit dilte nga një godinë ku kishte zhvilluar një mbledhje qeverie. Raportohet se Tsintula është një shkrimtar i njohur. Ai njihet si mbështetës i partisë së majtë radikale opozitare Progresive Sllovakia.

Më herët, mediat sllovake raportuan se sulmuesi ishte nga qyteti lokal Levice. Ende nuk dihen motivet e tij. Në vitin 2016, Tsintula punoi si roje sigurie në një qendër tregtare. 

Ndërkohë Rober Fico, u transportua menjëherë në spital ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ai është ende në sallën e operacionit. Fico është në mandatin e tij të tretë si kryeministër i Sllovakisë./ZËRI

1 VITE ME PARE

Atentat kryeministrit sllovak/ Dëshmitarja: Dëgjova tre të shtëna, pashë shenjën në kokë

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Robert Fico

SLLOVAKI- Një dëshmitare e pranishme në momentin kur kryeministri sllovak Robert Fico u qëllua, ka treguar tmerrin e përjetuar. Ajo tha se ka dëgjuar tre të shtëna. Fico, ndodhet në sallën e operacionit për momentin, ndërsa raportohet se është në gjendje kritike për jetën. Sipas saj, ishin gjithsej tre të shtëna dhe “Fico kishte një shenjë në kokë”.

“I bëra një foto kur ai doli nga ndërtesa”, tha ajo, “por më pas dëgjova të shtënat dhe e pashë të binte në tokë”./ZËRI

1 VITE ME PARE

DALIN PAMJET kur Fico mbërrin në spital me helikopter pasi iu bë atentat!

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Momenti i mbërritjes në spital

SLLOVAKI- Pamjet që po shihni tregojnë momentin kur kryeministri sllovak Robert Fico mbërrin në spital pasi iu bë atentat pak orë më parë. Ai shihet i rrethuar nga mjekët, ndërsa ekipi mjekësor kujdeset që ti mbulojë fytyrën për shkak të pranisë së mediave. Mësohet se Fico ndodhet në gjendje të rënduar për jetën, ndërsa për momentin ndodhet në sallën e operacionit. Ai mbërriti në spital me helikopter. Autori është arrestuar./ZËRI

1 VITE ME PARE

Iu bë atentat, kush është Robert Fico, kryeministri kontravers sllovak që admiron Putin-in, por... dhe BE-në

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,

SLLOVAKI- Robert Fico është një politikan sllovak që shërben mandatin e tij të tretë si kryeministër i vendit të Evropës Qendrore. Të mërkurën, ai u qëllua në qytetin Handlová, ku kishte takuar mbështetësit dhe u dërgua në spital.

Kush është Fico?

I lindur në një familje të klasës punëtore më 15 shtator 1964, Fico, me profesion avokat, e filloi karrierën e tij politike me partinë komuniste pak përpara Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989 që çoi në shpërbërjen e ish-Çekosllovakisë. Ai ishte përfaqësues i Sllovakisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga viti 1994 deri në 2000 dhe krijoi partinë e tij të qendrës së majtë Smer-SD në 1999 pasi u refuzua për një post ministror nga e majta Demokratike, trashëgimtarët politikë të komunistëve.

Smer fitoi një fitore dërrmuese në 2006, duke e katapultuar Fico-n në postin e kryeministrit dy vjet pasi Sllovakia u bashkua me BE. Në vitin 2009, ai udhëhoqi vendin e tij në eurozonë, por nuk ishte në gjendje të formonte një koalicion vitin e ardhshëm, pavarësisht se fitoi zgjedhjet. Ai shënoi një tjetër rënie në vitin 2012 pas rënies së një koalicioni të qendrës së djathtë mbi akuzat për korrupsion dhe fitoi sërish në vitin 2016, por iu desh të jepte dorëheqjen dy vjet më vonë mes protestave masive për vrasjen e një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij.

Në tetor, ai u kthye për një mandat të tretë si kryeministër në krye të një koalicioni populist-nacionalist. I përfshirë në akuzat për korrupsion që i ka mohuar gjithmonë, Fico është i guximshëm dhe i hapur, me një prirje për bodybuilding, futboll dhe makina të shpejta.

Cila është politika e tij?

Fico e admiron Vladimir Putinin, duke thënë se ai nuk do të lejonte arrestimin e presidentit rus sipas një urdhër-arresti ndërkombëtar nëse ai vinte në Sllovaki, dhe liderin joliberal të Hungarisë, Viktor Orbán, Udhëheqësi i Smerit është gjithashtu një taktik, në një karrierë prej tre dekadash, ai ka lundruar me sukses midis pozicioneve kryesore, pro-BE dhe një retorikë të ashpër nacionaliste, antiperëndimore, e destinuar kryesisht për konsum të brendshëm, duke u treguar më se i gatshëm për të ndryshuar rrugën në varësi të opinionin publik apo realitetin politik.

Duke thënë se ai ka vetëm interesat sllovake në zemër, Fico ka qenë i hapur për shumë çështje, duke sulmuar BE-në dhe OJQ-të ndërkombëtare, duke fyer rivalët e tij, duke pretenduar për një komplot grusht shteti dhe duke pretenduar se vota do të manipulohej.

Ai është gjithashtu ashpër kundër imigracionit, një faktor kyç në fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kundërshton “një komunitet të veçantë mysliman në Sllovaki”. Kohët e fundit, ai ka kritikuar martesën e të njëjtit seks dhe e ka përshkruar birësimin nga çiftet e të njëjtit seks si një "perversion". Gjatë pandemisë Covid ai u bë zëri më i spikatur i vendit kundër maskave, bllokimeve dhe vaksinimit. Përpara se të merrte detyrën sërish në tetor, ai shfrytëzoi nivele të larta të ndjenjave pro-ruse në Sllovaki për të minuar kursin pro-perëndimor të qeverisë.

Çfarë ka ndodhur në mandatin e tij të tretë si kryeministër?

Kritikët shqetësohen se Fico po braktis kursin pro-perëndimor të Sllovakisë dhe po ndjek drejtimin e Hungarisë nën drejtimin e Orban. Mijëra njerëz janë mbledhur në kryeqytet dhe në të gjithë Sllovakinë për të protestuar kundër politikave të Ficos.

Në shkurt, deputetët miratuan ndryshimet ligjore që anuluan një zyrë prokurorie speciale që merrej me korrupsionin e nivelit të lartë, ulën dënimet për krimet financiare dhe shkurtuan statutin e kufizimeve për përdhunimin. Në prill, qeveria miratoi një propozim për shfuqizimin e transmetuesit publik dhe zëvendësimin e tij me një organ të ri. Plani ka tërhequr kritika të ashpra nga partitë opozitare, të cilat thonë se do t'i japë qeverisë kontrollin e plotë të radios dhe televizionit publik.

Gjithashtu në prill, Peter Pellegrini, një skeptik i Ukrainës dhe aleat i ngushtë i Ficos, fitoi një balotazh në zgjedhjet presidenciale kundër kandidatit të opozitës liberale, pro-perëndimore, Ivan Korçok. Pellegrini do të pasojë Zuzana Čaputová, kryetarja e parë femër e shtetit në vend. Čaputová, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës fqinje në luftën e saj kundër pushtimit të Rusisë, njoftoi se nuk do të kandidojë për rizgjedhje qershorin e kaluar pasi mori kërcënime me vdekje./ZËRI

1 VITE ME PARE

“Robo, eja këtu'/ Atentatori e thërriti me emër kryeministrin sllovak, momenti kur e fusin prej krahësh në makinë

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Pamje nga videoja

SLLOVAKI- Dalin pamjet kur kryeministri Robert Fico ngrihet në krahë nga truprojat e tij dhe futet me urgjencë në makinë pasi është qëlluar me armë zjarri. Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamjet e pjesëtarëve të sigurimit që futin të plagosurin në makinë dhe e çojnë me urgjencë në spital, ku edhe ndodhet në gjendje të rëndë. 


Personi që e ka qëlluar me armë zjarri mendohet se e ka thërritur: Robo, hajde këtu!, e më pas e qëlloi 4 herë me armë zjarri. Nga të shtënat ka marrë plumba në bark dhe në krahë./ZËRI

1 VITE ME PARE

Atentati ndaj Ficos/ Kryeministri sllovak në rrezik për jetën, e kanë futur në operacion

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Pamjet nga atentati

SLLOVAKI- Detaje të reja janë mësuar lidhur me atentatin ndaj kryeministrit Robert Fico. Një zyrtar nga partia "Smer" e Ficos ka konfirmuar për "The Guardian" se kryeministri është qëlluar me plumb në bark dhe aktualisht po i nënshtrohet një operaconi.

Sipas të njëjtave burime, Fico u transportua në një spital në Banská Bystrica, sepse do të duhej më shumë kohë për ta transportuar në Bratislavë. Por lajmi i mirë është fakti se Fico ishte i vetëdijshëm kur u dërgua në spital, por raportohet se aktualisht është në rrezik për jetën./ZËRI

1 VITE ME PARE

Atentati ndaj kryeministrit sllovak/ BE dhe SHBA: Jemi të shokuar! Dhuna s'ka vend në demokraci

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Pamje nga vendi i ngjarjes

SLLOVAKI- Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, Presidentja e Parlamentit Europian Ursula Von der Leyen dhe Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban kanë reaguar pak minuta më parë pas atentatit ndaj kryeministrit sllovak, Rober Fico.

Michel shkruan në “X” se është i shokuar pas lajmit ndërsa shton se asgjë nuk mund ta justifikojë dhunën.

“Jam i shokuar me lajmin e sulmit ndaj kryeministrit sllovak Fico pas një takimi të kabinetit sllovak në Handlova. Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën apo sulme të tilla. Mendimet e mia janë me Kryeministrin dhe familjen e tij”, shkruan Charles Michel.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, shkruan se dënon sulmin ndaj Fico-s, ndërsa shton se akte të tilla dhune nuk kanë vend në demokraci.

“Dënoj fuqishëm sulmin ndaj kryeministrit Robert Fico. Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, shkruan ajo.

Ndërkohë kryeministri hungarez Viktor Orban shkruan se është thellësisht i tronditur nga ngjarja dhe i uron shërim të shpejtë.

“Isha thellësisht i tronditur nga sulmi i tmerrshëm ndaj mikut tim, kryeministrit Robert Fico. Ne lutemi për shëndetin dhe shërimin e tij të shpejtë! Zoti e bekoftë atë dhe vendin e tij”, shkruan Orban.

Në lidhje me atentatin ka reaguar dhe Peter Pellegrini, presidenti i zgjedhur i Sllovakisë dhe një aleat i Robert Ficos. Ai shprehet se një tentativë për vrasje ndaj Kryeministrit është një kërcënim për gjithçka që ka zbukuruar demokracinë sllovake deri më tani.

“Një atentat ndaj kryeministrit është një kërcënim për gjithçka që ka zbukuruar deri tani demokracinë sllovake. Me tmerr mora informacionin se kryeministri Robert Fico u bë shënjestër e një atentati pas një mbledhjeje të qeverisë në Handlova dhe gjatë një takimi me njerëzit, ai mori plagë me armë zjarri pas sulmit. Më tmerron se ku mund të çojë urrejtja ndaj një opinioni tjetër politik. Nuk duhet të biem dakord për gjithçka, por ka shumë mënyra për të shprehur mosmarrëveshjen tonë në mënyrë demokratike dhe ligjore. Një atentat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë kushtetues është një kërcënim i paprecedentë për demokracinë sllovake. Nëse shprehim mendime të ndryshme politike me armë në sheshe dhe jo në qendra votimi, rrezikojmë gjithçka që kemi ndërtuar së bashku në 31 vjet sovranitet sllovak. I uroj kryeministrit sherim dhe sherim te shpejte. Dhe unë sinqerisht shpresoj që akte të tilla të pakuptimta dhe brutale të bëhen objekt i dënimit universal”, shkruan ai.

Po ashtu ka reaguar dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz. Në një postim në “X” ai shprehet se është I tronditur ndërsa shton se dhuna nuk duhet të ketë vend në demokracinë europiane.

“Lajmi për atentatin frikacak ndaj kryeministrit sllovak Fico më trondit shumë. Dhuna nuk duhet të ketë vend në politikën evropiane. Gjatë këtyre orëve mendimet e mia janë me Robert Fico, të afërmit dhe qytetarët e Sllovakisë”, shkruan ai.

Po ashtu Kryeministri i Finlandës shprehet se është i tronditur nga lajmi.

“I tronditur nga lajmet nga Sllovakia për vrasjen e kolegut tim Robert Fico. Unë dënoj çdo akt dhune kundër demokracive tona. Mendimet e mia janë me të dhe familjen e tij”, shkruan Orpo.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se është i tronditur nga lajmi, ndërsa shton se lutjet e britanikëve janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij.

"I tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij", shkruan ai në X.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se sulmi ndaj kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico është i tmerrshëm.

"Sulmi ndaj kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico është i tmerrshëm. Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj kreut të qeverisë së shtetit tonë partner fqinj. Duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar që dhuna të mos bëhet normë në asnjë vend, formë apo sferë. Ne sinqerisht shpresojmë që Robert Fico të shërohet shpejt dhe të shprehim solidaritetin tonë me popullin e Sllovakisë", thotë Zelenskyy.

Pedro Sánchez, kryeministri i Spanjës, tha se është i tmerruar dhe i indinjuar nga sulmi ndaj kryeministrit sllovak.

"I tmerruar dhe i indinjuar nga sulmi ndaj kryeministrit sllovak. Spanja qëndron përkrah Robert Ficos, familjes së tij dhe popullit sllovak në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë. Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën", shprehet Sanchez.

Po shtu, Roberta Metsola, presidentja e Parlamentit Evropian, ka dënuar të shtënat e sotme.

"E tronditur nga sulmi i tmerrshëm ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico në Handlova. Në emër të@Europarl_EN, e dënoj këtë akt të dhunshëm. Mendimet e mia janë me të dhe familjen e tij në këtë moment shumë të vështirë", shkruan ajo.

Presidenti amerikan Joe Biden shprehu shqetësimin për tentativën për vrasjen e kryeministrit sllovak Robert Fico të mërkurën, duke e quajtur atë një "akt të tmerrshëm dhune".

“Jam i alarmuar kur dëgjoj raporte për një sulm ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico”, tha Biden në një deklaratë.

"Jill dhe unë po lutemi për një shërim të shpejtë dhe mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Sllovakisë. Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune. Ambasada jonë është në kontakt të ngushtë me qeverinë e Sllovakisë dhe e gatshme për të ndihmuar."/ZËRI

1 VITE ME PARE

ME VIDEO- Atentat kryeministrit të Sllovakisë, dalin pamjet e para, turma largohet me vrap

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Pamje nga vendi i ngjarjes

SLLOVAKI- Dalin pamjet e para nga atentati ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico. Ky i fundit u qëllua me armë zjarri jashtë një qendre të komunitetit kulturor në qytetin Handlova, ku ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë. Siç duket në pamje, fillimisht në vendin e ngjarjes janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.

MOMENTI ME VIDEO: 


Më pas, në video duken njerëzit që vrapojnë të alarmuar dhe të frikësuar. 

Aktualisht, Fico është dërguar në spital dhe autori i sulmit është ndaluar menjëherë nga Policia dhe nga truprojat e kryeministrit./ZËRI

1 VITE ME PARE

E RËNDË! qëllohet me armë zjarri kryeministri sllovak! PAMJE nga vendi i ngjarjes

Tronditet Sllovakia! Atentat me armë zjarri kryeministrit Robert Fico,
Robert Fico dhe pamje nga vendi i ngjarjes

SLLOVAKI- Kryeministri sllovak Robert Fico është qëlluar me armë zjarri, sipas raporteve të mediave lokale. Fico u qëllua përpara një ndërtese në Handlova, ku u mbajt një mbledhje e qeverisë.

Sipas gazetarëve në vendngjarje janë dëgjuar disa të shtëna. Udhëheqësi sllovak është dërguar në spital dhe atentatori i tij i dyshuar është ndaluar nga policia. Handlova është rreth 180 km (112 milje) në veri-lindje të kryeqytetit Bratislavë.
Një video tregoi disa policë që nxitonin për të arrestuar të dyshuarin jashtë qendrës kulturore në Handlova.  Në reagimin e saj fillestar ndaj të shtënave, presidentja në largim e Sllovakisë Zuzana Caputova tha se ishte e tronditur nga sulmi "brutal dhe i pamëshirshëm" ndaj kryeministrit dhe i uroi atij forcë për t'u rikuperuar.

Poll

MOS HUMB