Bota

Ukraina avancon në Rusi, Putin “arratiset” në Azerbajxhan

Putin e vizitoi Azerbajxhanin për herë të fundit në vitin 2018.

I.F
Ukraina avancon në Rusi, Putin “arratiset” në Azerbajxhan
Vladimir Putin dhe Ilham Aliyev

MOSKË-BAKU- Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur sot në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit për një vizitë zyrtare dyditore, gjatë së cilës do të takohet me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, njoftoi Kremlini.

Vizita në këtë vend kaukazian, i cili është një partner i ngushtë i Moskës, por në të njëjtën kohë një furnizues i rëndësishëm energjie për vendet e Perëndimit, po zhvillohet ndërkohë që vazhdon sulmi i paprecedentë i forcave ukrainase në territorin rus, në rajonin e Kurskut.

Televizioni rus transmetoi pamjet e aeroplanit të Putinit që mbërrin në Baku.

"Presidenti rus do të diskutojë me Aliyev çështjet që lidhen me zhvillimin e bashkëpunimit strategjik dhe marrëdhëniet e aleancës midis Rusisë dhe Azerbajxhanit, si dhe problemet ndërkombëtare dhe rajonale", tha Kremlini.

Putin do të marrë pjesë edhe në një ceremoni të vendosjes së kurorës në varrin e Heydar Aliyev, ish-presidentit të Azerbajxhanit (1993-2003) dhe babait të liderit aktual të vendit.

Putin e vizitoi Azerbajxhanin për herë të fundit në vitin 2018.

Azerbajxhani, i cili do të presë samitin e ardhshëm të klimës (COP29) në nëntor, është një prodhues i madh i gazit natyror dhe i është drejtuar Bashkimit Evropian për të mbuluar mungesat pasi dërgesat ruse ranë pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Kundër Putinit është lëshuar një urdhër-arresti që nga marsi i vitit 2023 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, për “rrëmbimin” e fëmijëve nga Ukraina në Rusi, gjë që komplikon lëvizjet e tij jashtë vendit. Moska i kundërshton kategorikisht akuzat. /ZËRI

Poll

MOS HUMB