
SHBA- Paul Alexander, i njohur si "burri me mushkëritë e çelikut" vdiq më 11 mars 2024 në moshën 78-vjeçare. Alexander nga Teksasi u sëmur nga poliomieliti në moshën 6-vjeçare ndërsa luante me bashkëmoshatarët e tij. Sëmundja e paralizoi nga qafa e poshtë, gjë që e bëri të paaftë të merrte frymë vetë, kështu që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në një "kuti" metalike. Pavarësisht gjendjes së tij, ai u kthye në frymëzim për të gjithë.
Një makinë e quajtur "mushkëri hekuri" ishte mënyra e vetme për të shpëtuar jetën e Paulit, më pas atij iu desh të mësohej shpejt me rrethanat e pazakonta ku po jetonte.

"Nuk ka rëndësi nëse mund të lëvizësh apo jo. Nuk ka rëndësi nëse mund të marrësh frymë apo jo. Dhe kjo është ajo që bëj. Unë thjesht jetoj jetën," – tha ai në një nga intervistat.
Makina e mbajti atë gjallë për shtatë dekada, por fatkeqësisht faqja e tij GoFundMe të martën zbuloi se ai kishte vdekur të hënën, më 11 mars.

Lidhur me ndarjen e tij nga jeta, foli edhe i vëllai, Philipi.
"Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që dhuruan fonde për vëllain tim. Kjo e ka lejuar atë të jetojë pa stres vitet e fundit. Shuma e mbledhur e paguan edhe funeralin e tij. Është absolutisht e mahnitshme të lexosh të gjitha komentet dhe të dish se kaq shumë njerëz janë frymëzuar nga Paul. Jam shumë mirënjohës,”- ka shkruar ai.
Paul, pasi i mbijetoi poliomielitit si fëmijë, ai jetoi për mbi 70 vjet me një mushkëri hekuri. Gjatë asaj kohe, Paul shkoi në kolegj, u bë avokat dhe publikoi edhe libra. Historia e tij udhëtoi larg e gjerë, duke ndikuar pozitivisht tek njerëzit në mbarë botën./ZËRI