Bota

VIDEO- Rritet presioni ndaj Vuçiç, fermerët dhe mjekët i bashkohen protestave të studentëve: Jo më korrupsion!

Mijëra qytetarë dhe studentë kanë pushtuar rrugët e Serbisë në më shumë se 100 qytete dhe fshatra në të gjithë vendin duke protestuar kundër tij.

I.F
VIDEO- Rritet presioni ndaj Vuçiç, fermerët dhe mjekët i
Beograd

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç po përballet me një nga sfidat më të mëdha gjatë kësaj periudhe, protestat masive. Mijëra qytetarë dhe studentë kanë pushtuar rrugët e Serbisë në më shumë se 100 qytete dhe fshatra në të gjithë vendin duke protestuar kundër tij. Fakultetet janë mbyllur dhe rrugët kryesore janë bllokuar në vend, ndërsa studentët e kanë kaluar natën duke fjetur jashtë dhe në stadiumet e vendit. Kjo është një nga protestast më të mëdha në historinë e vendit ballkanik. Kërkesa e tyre është e qartë: Drejtësi për Novi Sad.

Para tre muajsh në qytetin e Novi Sad tavani i një stacioni hekurudhor u shemb, ku si pasojë humbën jetën 15 persona. Pas kësaj tragjedie, për tre muaj protestat nuk kanë ndalur në Beograd, pasi qytetarët akuzojnë qeverinë se qëndron pas kësaj, për shkak të korrupsionit që ka “pushtuar” vendin.

“Ajo që po shohim është një nga protestat më të mëdha në historinë e Serbisë”, tha Dejan Bagariç, një student që po ndjek studimet master.

“Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, njerëzit janë me të vërtetë të lodhur sepse të gjithë nuk e duan më këtë qeveri korruptive”, tha ai.


“Jo më korrupsion”

Shpërthimi më i madh i protestës ndodhi gjatë ditës së shtunë, pas fjalimit të presidentit serb në datë 28 janar, i cili tha se për 10 ditë qeveria do të njoftojë për vendimin e saj, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme ose jo. Qytetarët e quajtën këtë përgjigje mosgatishmëri e qeverisë për të pranuar përgjegjësinë për tragjedinë. Rindërtimi i stacionit u krye në bashkëpunim me një konsorcium shtetëror kinez, si pjesë e një projekti të madh infrastrukturor që kritikët pretendojnë se nuk i kushtoi vëmendje rregullave të sigurisë.

 

“Nuk kishte transparencë, nuk kishte tendera publikë për kontratën dhe më pas kur ndodhi aksidenti, nuk kishte drejtësi”, tha Çedomir Stojkoviç, një avokat për të drejtat e njeriut i cili paraqiti një ankesë penale që përfundimisht nxiti prokurorët të nisnin një hetim.

“Në vend të kësaj, qeveria bëri atë që bën gjithmonë, ajo vazhdoi me një mbulim në shkallë të plotë. Ka shumë solidaritet, shumë ndjeshmëri për studentët, gjithnjë e më shumë njerëz po dalin në mbështetje të tyre, profesorë, fermerë, të gjithë”, shtoi ai.


Kërkesat e studentëve

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024. Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale. Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet. /ZËRI

Poll

MOS HUMB