
PYONGYANG- Pamjet e rralla të siguruara nga BBC tregojnë mënyrën sesi Koreja e Veriut dënon publikisht dy djem adoleshentë me 12 vjet punë të rëndë sepse ishin kapur duke parë "K-drama" (seriale nga Koreja e Jugut). Videoja, e kapur në vitin 2022, tregon dy djem 16-vjeçarë të prangosur përballë qindra studentëve në një stadium në natyrë.
Argëtimi me materiale nga Koreja e Jugut është i ndaluar në Veri. Pavarësisht ligjit, të rinjtë janë gati të rrezikojnë dënime të rënda për të parë K-dramat. Pamjet si kjo janë të rralla, sepse Koreja e Veriut ndalon fotot, videot dhe provat e tjera të jetës në vend të dalin në "botën e jashtme".
Kjo video iu dha BBC-së nga South and North Development (Sand), një institut kërkimor që punon me dezertorët nga veriu.
Në video përfshihet një transmetues, i cili përsërit propagandën shtetërore.
"Kultura e regjimit të kalbur është përhapur edhe tek adoleshentët. Ata janë vetëm 16 vjeç, por shkatërruan të ardhmen e tyre," thotë zëri në video.
Në të kaluarën, të miturit që shkelnin ligjin në këtë mënyrë dërgoheshin në kampet e punës së të rinjve në vend që të futeshin pas hekurave dhe dënimi ishte zakonisht më pak se pesë vjet. Në vitin 2020, Pheniani miratoi një ligj për ta bërë të dënueshme me vdekje shikimin ose shpërndarjen e materialeve argëtuese nga Koreja e Jugut.
Një dezertor i tha më parë BBC-së se pa një 22-vjeçar teksa qëllohej për vdekje. Ai tha se burri akuzohej se kishte dëgjuar muzikë të Koresë së Jugut dhe kishte ndarë filma me të tjerë. Kjo pasi Pheniani e sheh përhapjen e K-dramave dhe K-pop-it si një rrezik për ideologjinë e tij, pasi rrezikohet se mund të ndalojë admirimin ndaj familjes Kim./ZËRI