
GREQI- Banorët e një shtëpie në Santorini, në orët e para të së enjtes, u zgjuan nga një zhurmë e madhe dhe zbuluan se një një makinë ishte përplasur në murin e jashtëm të banesës së tyre dhe e kishte rrëzuar duke depërtuar në të.
Në të njëjtën kohë, efektivët e policisë kanë vënë në pranga dy prej pasagjerëve të cilët ishin larguar në këmbë teksa tentonin të fshiheshin në një zonë afër, por pa sukses. Dy të huajt e moshës 34 dhe 36 vjeç, së bashku me një të tretë që arriti të arratisej, kishin tentuar të shmangnin kontrollin e Policisë në rrugë, por drejtuesi i mjetit kishte humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti u përplas në murin e shtëpisë.
Siç u konstatua nga hetimet paraprake nga efektivët e Policisë Thira, tre autorët kishin vjedhur makinën pasditen e së mërkurës dhe e kishin përdorur për tu larguar nga një shtëpi në të cilën kishin rrëmbyer para dhe sende me vlerë.
Sipas mediave greke, në makinën e sekuestruar u gjetën; një pistoletë me ajër me një numër fishekësh plastik, mjete për vjedhje, dokumente udhëtimi me të dhënat e personave që kishin vjedhur, si dhe një sërë bizhuterish dhe objekte të tjera origjina e të cilave po hetohet
Dy të huajt u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë Naxos me një dosje penale ku përfshihet edhe bashkëpunëtori i tyre i cili kërkohet dhe akuzohet për vjedhje të rëndë, armëmbajtje pa leje, pakujdesi, drejtim të rrezikshëm dhe dhunë ndaj zyrtarëve./ ZËRI