IRAN-Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet pika kulmore ndër dekada e mbledhjes së informacioneve së inteligjencës nga shërbimet sekrete izraelite, për liderin iranian. Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në kryeqytetin iranian ishin hakeruar për vite me radhë. Imazhet e tyre ishin enkriptuar dhe transferuar në servera në Tel Aviv dhe Izraelin jugor. Këto detaje të reja nga eliminimi i Ajatollah Ali Khamenei i kanë dhënë “Financial Times” dy burime të sigurta në kushte anonimati.
Një sulm me precizion 60 sekondash me 30 raketa kërkoi vite planifikimi
Një kamera kishte një kënd veçanërisht të dobishëm, duke u lejuar izraelitëve të shihnin se ku truprojat parkonin zakonisht makinat e tyre personale. Në kohë reale, izraelitët informoheshin për adresat, orët e detyrës, rrugët që ndiqnin truprojat iraniane të zyrtarëve për të shkuar në punë dhe më e rëndësishmja, kë mbronin dhe kë transportonin zakonisht.
Ky koleksion i inteligjencës shumëvjeçare ndihmoi në hapjen e rrugës për vrasjen e Ajatollah Ali Khameneit. Megjithatë, ky burim të dhënash në kohë reale nuk ishte e vetmja metodë që Izraeli dhe CIA përdorën për të përcaktuar saktësisht se kur do të ishte 86-vjeçari Khamenei në zyrën e tij të shtunën dhe kush do ta shoqëronte. Shërbimet izraelite arritën të “ndërhynin” në të dhënat e 12 antenave të celularëve pranë “Rrugës Pasteur”, duke i bërë linjat të dukeshin të zëna kur telefonoje, duke penguar në këtë mënyrë rojen e Khameneit të merrte sinjale të mundshme paralajmëruese.
“Para se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin ashtu siç e njohim Jerusalemin”, – tha një zyrtar i inteligjencës izraelite. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa e njeh lagjen ku je rritur, vëren ndryshimin më të vogël.”
Raporti pohon gjithashtu se Izraeli përdori mjete të Inteligjencës Artificiale, së bashku me algoritmet, për të renditur sasi të mëdha informacioni të mbledhura rreth udhëheqjes iraniane dhe lëvizjeve të saj.
Pamja e dendur dhe e pasur me informacion e kryeqytetit të armikut të saj të betuar ishte rezultat i mbledhjes së të dhënave të mundimshme, të mundësuar nga njësia e specializuar “8200” e Izraelit, materiali njerëzor i rekrutuar nga Mossadi dhe vëllimet e të dhënave të përpunuara nga inteligjenca ushtarake për të përpiluar raporte ditore.
Izraeli përdori një metodë matematikore të quajtur “analiza e rrjeteve sociale” për të analizuar miliarda pika të dhënash dhe për të zbuluar qendra vendimmarrjeje të papritura, si dhe për të identifikuar objektiva të rinj për mbikëqyrje dhe eliminim.
Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë kanë përdorur një lloj të veçantë rakete, “Sparrow”, versionet e së cilës janë të afta të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë darke nga më shumë se 1,000 km larg Iranit dhe rrezes së veprimit të çdo sistemi të tij të mbrojtjes ajrore.
Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike, me qëllim mbrojtjen e burimeve dhe metodave që përdoren për të monitoruar objektiva të tjerë. Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo vetëm një… arritje teknologjike. FT raportoi gjithashtu se planifikimi për operacionin filloi në vitin 2001, kur ish-kryeministri Ariel Sharon urdhëroi Mossadin që ta bënte Iranin shënjestër kryesore.