
SPANJË-Detaje të reja janë publikuar për pilotin e helikopterit ushtarak rus të vrarë në Spanjë, i cili dezertoi. Sipas raportimeve një bisedë e Maksim Kuzminov me të dashurën mund ta ketë nxjerrë atë në pritë. Sipas Daily Mail, dyshohet se ai mund t’u ketë dhënë vrasësve vendodhjen e tij përmes telefonatës që bëri me të dashurën ku e ftonte ta vizitonte në Alicante.
Kapiteni Maksim Kuzminov u gjet i ekzekutuar me plumba në një parking nëntokësor në Villajoyosa afër Alicantes në fillim të këtij muaji, ngjarje që dyshohet se ishte një goditje e orkestruar nga Kremlini.
"Ne e dimë se ai kishte ftuar ish-të dashurën në Spanjë dhe më pas ai u gjet i vdekur. Ajo telefonatë mund të ishte përgjuar nga shërbimet sekrete ruse”, raportuan mediat spanjolle.
Ndërkohë, burime pranë hetimit pohuan se municione ruse u përdorën në sulmin ndaj tij për t’u sinjalizuar dezertorëve të tjerë shtrirjen e sigurisë së Kremlinit. Megjithëse kalibri ose marka e saktë nuk është zbuluar, fakti që municioni është i prodhimit rus konfirmon dyshimin se i vdekuri nuk është 33-vjeçari ukrainas që tregonte dokumentacioni që mbante, por 28-vjeçari kapiten Kuzminov.
Ai po jetonte në Spanjë me një pasaportë ukrainase me një emër tjetër, tha ajo. Një zëdhënës i zbulimit ushtarak të Ukrainës, GUR konfirmoi për agjencinë Reuters se Kuzminov kishte vdekur në Spanjë, por nuk dha shkakun e vdekjes. Gazeta ukrainase Ukrainska Pravda gjithashtu njoftoi se ai ishte gjetur i vrarë me armë zjarri. Policia spanjolle ka konfirmuar se është gjetur një trup i një viktime i vrarë me armë zjarri në qytet, por nuk ka bërë të ditur identitetin e viktimës./ZËRI