Bota

Reuters: Irani i ka ofruar qindra raketa balistike Rusisë

Lajmi është konfirmuar nga 6 burime për Reuters

k.m.
Reuters: Irani i ka ofruar qindra raketa balistike Rusisë
Foto ilustruese

DUBAI- Irani i ka ofruar Rusisë një numër të madh raketash balistike. Lajmi është konfirmuar nga 6 burime për Reuters. Ofrimi i rreth 400 raketave përfshin shumë prej familjes “Fateh-110”, armë balistike me rreze të shkurtër, si raketat “Zolfaghar”, thanë tri burime iraniane. Kjo raketë mund të godasë caqe në largësi prej 300 deri në 700 kilometra.

Ministria e mbrojtjes e Iranit dhe Garda Revolucionare - një forcë elitare që mbikëqyr programin e raketave balistike të Iranit - nuk pranuan të komentojnë lidhur me ofertën, ndërsa as Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Dërgesat filluan në fillim të janarit pasi një marrëveshje u finalizua në takimet në fund të vitit të kaluar midis zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë iraniane dhe ruse që u zhvilluan në Teheran dhe Moskë.

Një zyrtar ushtarak iranian - i cili, si burimet e tjera, kërkoi të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së informacionit - tha se kishte pasur të paktën katër dërgesa raketash dhe do të kishte të tjera në javët e ardhshme. Por nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme. Një tjetër zyrtar i lartë iranian tha se disa nga raketat u dërguan në Rusi me anije përmes Detit Kaspik, ndërsa të tjerat u transportuan me avion.

Një burim i katërt, i njohur me këtë çështje, konfirmoi se Rusia kishte marrë një numër të madh raketash nga Irani kohët e fundit, pa dhënë detaje të mëtejshme. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha në fillim të janarit se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara se Rusia ishte afër blerjes së armëve balistike me rreze të shkurtër veprimi nga Irani, përveç raketave të tjera që i kishin marrë nga Koreja e Veriut. Një zyrtar amerikan i tha Reuters se Uashingtoni kishte parë prova të avancimit aktiv të bisedimeve, por ende nuk kishte asnjë tregues se dërgesat ishin kryer.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi dërgesat e raketave./ZËRI

Poll

MOS HUMB