
TIRANË- ISIS ka kërcënuar se do të sulmojë katër stadiumet që do të presin ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Shteti islamik nëpërmjet kanalit të saj informativ, Al Azaim ka kërcënuar qytete si Madridi, Londra dhe Parisi. Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja, autoritetet e këtyre vendeve prej kohësh kanë qenë në dijeni për sulme të mundshme dhe në ndeshjet e kësaj mesjave, do të merren masa të jashtëzakonshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë e qindra mijëra tifozëve të pranishëm në impiantet më prestigjioze të Europës.
Për kërcënimin, shteti islamik ka shpërndarë një poster me mesazhin: Vritini të gjithë!
Me t'u bërë publik posteri, Spanja ka ngritur alarmin duke mobilizuar mbi 3000 agjentë të Sigurisë Publike dhe Gardës Civile. Ndërkohë kryeqyteti spanjoll tashmë është pushtuar nga mijëra tifozë anglezë dhe gjermanë.
Ministri i Brendshëm spanjoll kërkoi vigjilencë të shtuar në aktivitetet sportive, ndërkohë që në Itali, ditën e hënë u arrestua në Fiumicino një shtetas 32-vjeçar nga Takixhistani, pjesëtar i ISIS që kishte luftuar gjithashtu edhe në Siri.
Ky i fundit po i drejtohej Romës, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli./ZËRI