KOSOVË- Ngërci politik në Kosvoë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Teksa edhe vetëm pak orë kanë mbetur nga përfundimi i afatit, mesnatën e sotme, kanë reaguar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë respektim të plotë të Kushtetutës dhe arritjen e një kompromisi politik.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë bëjnë me dije se po ndjekin nga afër procesin, teksa bëjnë thirrje që palët politike të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues.
“Po e ndjekim procesin në zhvillim dhe presim që të gjithë aktorët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë gjithashtu ka reaguar, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional. Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, u bëri thirrje forcave politike që të zbatojnë Kushtetutën dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm.
“Është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë që të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës, të arrijnë kompromisin e nevojshëm dhe të sigurojnë stabilitetin institucional në interes të qytetarëve”, theksoi Gaon./ZËRI