KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar afatet për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Sipas njoftimit zyrtar, afati ka nisur që nga sot, 2 maj dhe përfundon më 10 maj, për aplikim për certifikim të partive të reja, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Ndërsa deri më 12 maj, do të jetë afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Dorëzimi i listave do të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedurat mbeten të njëjta me ato të zgjedhjeve të fundit të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.
Institucioni sqaron se partitë politike ekzistuese konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces vlen vetëm për subjektet e reja që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhje.
Ndërkohë, një ditë më parë, KQZ-ja miratoi planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme. Sipas Komisionit, fushata zgjedhore do të nisë nga 28 maji, ndërkohë që organizimi i zgjedhjeve do të kushtojë mbi 10 milionë e 800 mijë euro, saktësisht 10,887,186.445 euro. Lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj.
Për votuesit jashtë Kosovës, regjistrimi do të bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor.
Zgjedhjet e parakohshme vijnë pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të vendit.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës, 28 prill, për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme./ZËRI