KOSOVË- Sot është dita e fundit që qytetarët që jetojnë jashtë territorit të Kosovës mund të regjistrohen për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
KQZ e ka hapur procesin e regjistrimit të votuesve nga diaspora që më 6 maj. Të gjithë ata që janë regjistruar si pjesëmarrës në zgjedhje mund të votojnë në dy mënyra: përmes postës ose në ambasadat e vendeve ku jetojnë.
Në Republikën e Kosovës, diaspora voton e para, në mënyrë që të mos ketë vonesa në procesin e numërimit të votave.
Për këto zgjedhje, votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit dhe të përfundojnë procedurat brenda afatit të përcaktuar.
“Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe një ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës, afati mbyllet më 17 maj 2026”, ka njoftuar KQZ-ja.
KQZ-ja ka miratuar edhe Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme, e cila përmban 2,092,202 votues, ose 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Po ashtu, janë certifikuar 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike, duke shënuar një garë të gjerë politike në këto zgjedhje./ZËRI