KOSOVË- Në Kosovë nisi këtë të shtunë zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Komisionii Qendror i Zgjedhejve (KQZ) ka shpallur periudhën zyrtare të fushatës, e cila do të zgjasë deri në orën 06:59 të mëngjesit të 12 tetorit, dita kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit.
Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, ka shpjeguar për mediat vendase se në fushatë marrin pjesë 93 subjekte politike me mbi 5,600 kandidatë. Elezi ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.
Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet lokale do të shpalosin programet e tyre dhe do të tentojnë të bindin qytetarët që t’i votojnë.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarëve në 38 komuna do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues jashtë Kosovës.
Votuesit jashtë vendit do të mund të votojnë me postë duke nisur nga 17 shtatori. Në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për vende në kuvende komunale.
Për garën zgjedhore, KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike – 32 parti, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur. Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021./ZËRI