KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ), njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind. Kryekomisioneri Kreshnik Radoniqi deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejt vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 158 mijë e 619 votues apo 7.84 për qind nga dy milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha ai.
Ndërkohë, anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi deklaroi se ka pasur tentativa qe të votohet në procesin e këtij 12 tetori me karta identiteti serbe. Ndërsa, anëtari i KQZ Sami Kurteshi ka saktësuar se kjo gjë është bërë për shkak se në kërkesat e tyre ka pasur parregullsi dhe në disa raste kërkesat nuk njihnin shtetin e Kosovës./ZËRI