
MAQEDONIA E VERIUT- Qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur dhe tashmë ka nisur procesi i numërimit. Sipas rezultateve preliminare të KSHZ nga gjithsej 293.783/1.815.350 prin VMRO-ja me 47.196 e ndjekur nga LSDM me 15.908. Ndërsa në bllokun shqiptarë prin Fronti Evropian me 33.284, ndërsa VLEN 27.792 vota.
Ndërkohë përfaqëuesi i Frontit Europian, Arbër Ademi dha një deklaratë për shtyp, duke marrë parasysh edhe rezultatet paraprake, se forca që përfaqëson është mbi 30 mijë vota në epërsi ndaj opozitës, ku është pjesë edhe partia tjetër shqiptare Vlen.
“Deri më tani sipas nga mbi 50 përqind të votave Fronti Europian mbi 30 mijë vota më shumë se opozita. Në epërsi në Dibër 2 me 1, Strugë më tepër se 2 me 1, Kërçovë 5 me 1, Vrapçisht më tepër se 2 me 1, në epërsi në Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Likovë. Më vonë do të dalim më të dhëna më të hollësishme. Nëse vazhdojmë me këtë trend Fronti Europian do të ketë mbi 20 deputetë”, tha Ademi.
Në zgjedhjet e shtata presidenciale të drejtë vote kishin 1.814.317 votues. Kandidatë për president të shtetit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishin Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KSHZ-së, është përmbushur kushti që pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, të drejtë vote në kishin 1.815.350 votues. Diferenca në votues krahasuar me zgjedhjet presidenciale është 1.033, kryesisht për shkak të qytetarëve që mbushin 18 vjet.
Në zgjedhje ishin gjithsej 1.755 kandidatë, nga të cilët 1.002 janë meshkuj dhe 753 femra, të cilët garuan për 120 ulëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Zyrtarë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës kanë njoftuar se nuk janë regjistruar shqetësime më serioze të rendit dhe qetësisë publike./ZËRI