Bota

DeepSeek "kërcënon" SHBA-në/ Ç'fshihet pas APP që tronditi Silicon Valley, historia e djalit "geek" nga Kina që kapi majat

DeepSeek është bërë aplikacioni falas më i shkarkuar në SHBA vetëm një javë pasi u lançua.

I.F
DeepSeek "kërcënon" SHBA-në/ Ç'fshihet pas
Foto ilustruese

PEKIN- Kur “ChatGPT” pushtoi botën e Inteligjencës Artificiale (AI) lindi një pyetje e pashmangshme: A shkaktoi telashe për Kinën, rivalin më të madh teknologjik të Amerikës? Tashmë, 2 vjet më vonë Kina sapo dha përgjigjen me modelin e ri të Inteligjencës Artificiale që shumë shpejt u kthye ndër më të përdorurit. Por, ndryshe nga dy vite më parë, pyetja që u krijua është: A mund të ndalojë SHBA-ja inovacionin kinez?

Për njëfarë kohe, Pekini dukej se nuk kishte një përgjigje për ChatGPT, i cili nuk është i disponueshëm në Kinë. Përdoruesit perëndimorë  talleshin me Ernie, chatbot gjigant i motorëve të kërkimit Baidu. Më pas, u krijuan versione të ndryshme nga firmat e teknologjisë Tencent dhe ByteDance, të cilat tentuan të imitonin ChatGPT - por nuk ishin aq të mira.

Uashingtoni ishte i bindur se ishte përpara dhe donte ta mbante avantazhin. Kështu që administrata Biden rriti kufizimet që ndalonin eksportin e çipave dhe teknologjisë së avancuar në Kinë. Kjo është arsyeja pse lëshimi i DeepSeek ka mahnitur Silicon Valley dhe botën. Firma thotë se modeli i saj i fuqishëm është shumë më i lirë se miliardat që firmat amerikane kanë shpenzuar për AI.

Por, si e arriti këtë një kompani pak e njohur të kapte këto maja?

Përgjigja e Amerikës

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur ngritjen e kompanisë kineze DeepSeek "një thirrje zgjimi" për industrinë e teknologjisë amerikane, pasi shfaqja e modelit të saj të inteligjencës artificiale (AI) shkaktoi valë tronditëse në Wall Street. Aksionet në firmat e mëdha të teknologjisë si Nvidia ranë ndjeshëm, me gjigantin e çipave që humbi pothuajse 600 miliardë dollarë (482 miliardë £) nga vlera e tregut. Ajo që ka tronditur industrinë është pretendimi i DeepSeek se modeli i tij R1 është bërë me një fraksion të kostos së rivalëve të tij - duke ngritur pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e AI në Amerikë. "DeepSeek" është bërë aplikacioni më i shkarkuar në SHBA vetëm një javë pasi u lancua. Duke iu përgjigjur lajmit, Trump tha se zhvillimet e fundit në industrinë e inteligjencës artificiale të Kinës mund të jenë "pozitive" për SHBA-në.

"Nëse mund të krijojmë dhe në një konkurent të ri më lirë, është më mirë. Mendoj se kjo është një gjë e mirë për ne,"- u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One. Ai gjithashtu tha se nuk ishte i shqetësuar për përparimin, duke shtuar se SHBA do të mbetet një 'lojtar' dominues në fushë.

Vërtetësia

Por, përtej përdorimit të gjerë, në fakt censura është problem. Nëse pyet një historian se çfarë ndodhi më 4 qershor 1989, do të mësosh se kjo ishte data kur qindra protestues u vranë në Masakrën e Sheshit Tiananmen. Sidoqoftë, nëse pyesni rivalin e ChatGPT, DeepSeek, nuk ka gjasa të merrni përgjigje. Gjatë testimit, përgjigjet e pyetjeve të ndjeshme u fshinë dhe u zëvendësuan me përgjigje evazive. Në temat e censuruara nga Partia Komuniste Kineze (CCP), roboti përpiqet shkurtimisht të përgjigjet por papritur gjithçka fshihet.

DeepSeek censuron në mënyrë aktive tema që lidhen me protestat si Lëvizja e Letërs së Bardhë dhe Lëvizja Prodemokratike e Hong Kongut.

DeepSeek "kërcënon" SHBA-në/ Ç'fshihet pas

Sfida

Kur SHBA-ja ndaloi prodhuesit kryesorë të çipave në botë, si Nvidia, të shisnin teknologji të avancuar në Kinë, sigurisht kjo shkaktoi një goditje. Ato çipa janë thelbësore për ndërtimin e modeleve të fuqishme të AI që mund të kryejnë një sërë detyrash njerëzore, nga përgjigjja e pyetjeve bazë deri te zgjidhja e problemeve komplekse matematikore.

Themeluesi i DeepSeek, Liang Wenfeng, e përshkroi ndalimin e çipit si "sfidën kryesore". Ai tha se Shumë kohë përpara ndalimit, DeepSeek bleu një “stok të konsiderueshëm" të çipave Nvidia A100 - vlerësimet variojnë nga 10,000 në 50,000 - sipas MIT Technology Review. Modelet kryesore të AI në Perëndim përdorin rreth 16,000 çipa të specializuar. Por DeepSeek thotë se ka trajnuar modelin e tij të inteligjencës artificiale duke përdorur 2000 çipa të tillë dhe mijëra çipa të klasës më të ulët – gjë që e bën produktin e tij më të lirë.

Disa, duke përfshirë miliarderin amerikan të teknologjisë, Elon Musk, e kanë vënë në dyshim këtë pretendim, duke argumentuar se kompania nuk mund të zbulojë se sa çipa të avancuar ka përdorur në të vërtetë duke pasur parasysh kufizimet. Por ekspertët thonë se ndalimi i Uashingtonit solli sfida dhe mundësi për industrinë kineze të AI.

"Ndërsa këto kufizime paraqesin sfida, ato gjithashtu kanë nxitur kreativitetin dhe elasticitetin, duke u përafruar me qëllimet më të gjera të politikës së Kinës për arritjen e pavarësisë teknologjike", u shpreh ai.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka investuar shumë në teknologjinë e madhe - nga bateritë që fuqizojnë automjetet elektrike dhe panelet diellore, te AI. Shndërrimi i Kinës në një superfuqi të teknologjisë ka qenë prej kohësh ambicia e Presidentit Xi Jinping, kështu që kufizimet e Uashingtonit ishin gjithashtu një sfidë që Pekini mori përsipër. Lëshimi i modelit të ri të DeepSeek më 20 janar, kur Donald Trump u betua si president i SHBA, ishte i qëllimshëm, sipas Gregory C Allen, një ekspert i AI në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

"Koha dhe mënyra se si po mesazhohet - është pikërisht ajo që qeveria kineze dëshiron që të gjithë të mendojnë - se kontrollet e eksportit nuk funksionojnë dhe se Amerika nuk është lideri global në AI", tha Allen, ish-drejtor i strategjisë dhe politikës në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës Artificiale të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.

Vitet e fundit qeveria kineze ka ushqyer talentin e AI, duke ofruar bursa dhe grante kërkimore dhe duke inkurajuar partneritete midis universiteteve dhe industrisë. Laboratori Kombëtar i Inxhinierisë për Mësimin e Thellë dhe nisma të tjera të mbështetura nga shteti kanë ndihmuar në trajnimin e mijëra specialistëve të AI, sipas Zhang. Dhe Kina kishte shumë inxhinierë të zgjuar për të rekrutuar.

Talenti

Ekipi i DeepSeek - përbëhet nga më pak se 140 njerëz, shumica e të cilëve janë ata që interneti me krenari i ka deklaruar si "talent të rritur në shtëpi" nga universitetet elitare kineze. Universitetet më të mira të Kinës po krijojnë një "pishinë talentesh" në rritje të shpejtë të AI, ku edhe menaxherët janë shpesh nën moshën 35 vjeç.

“Duke u rritur gjatë ngritjes së shpejtë teknologjike të Kinës, ata janë thellësisht të motivuar nga një përpjekje për vetë-mbështetje në inovacion”, shton ajo.

Themeluesi i Deepseek, Liang Wenfeng është një shembull i kësaj - 40-vjeçari studioi AI në Universitetin prestigjioz Zhejiang. Mediat kineze e përshkruajnë atë si një "idealist teknik" - ai këmbëngul të mbajë DeepSeek si një platformë me burim të hapur. Në fakt, ekspertët besojnë gjithashtu se një kulturë e lulëzuar e burimeve të hapura i ka lejuar ndërmarrjet e reja të reja të grumbullojnë burime dhe të përparojnë më shpejt. Ndryshe nga firmat më të mëdha kineze të teknologjisë, DeepSeek i dha përparësi kërkimit, i cili ka lejuar më shumë eksperimente, sipas ekspertëve dhe njerëzve që kanë punuar në kompani.

“50 talentët më të mirë në këtë fushë mund të mos jenë në Kinë, por ne mund të ndërtojmë dhe trajnojmë njerëz të tillë këtu,”- tha Liang.

“Kur e takuam për herë të parë, ai ishte një djalë shumë nervoz me një model të tmerrshëm flokësh, i cili foli për ndërtimin e një sistemi kompjuterik me 10 mijë çipa për të trajnuar modelet e tij. Nuk e morëm seriozisht. Ai nuk mund ta shpjegonte qartë vizionin e tij përveçse të thoshte, ‘Unë dua ta ndërtoj këtë dhe do të jetë revolucionare’. Menduam se ishte diçka që mund të arrihej vetëm nga gjigantë si ByteDance dhe Alibaba,”-tha një nga partnerët e tij të biznesit, i cituar nga Financial Times.

Liang është një i huaj në botën e AI, por ai nuk vjen me një CV të improvizuar. Sot është 40 vjeç, ka lindur në një qytet të vogël në Guangdong, djali i një mësuesi të shkollës fillore. Liang ka treguar gjithmonë – sipas informacionit të kufizuar biografik të disponueshëm për të – një kuriozitet të pashuar për teknologjinë. Pasi u diplomua në inteligjencën artificiale në Universitetin Zhejiang, ai zhvilloi përvojë në vizionin kompjuterik dhe Big Data dhe më pas filloi udhëtimin e tij në botën e financave. Në vitin 2015, ai themeloi Huanfang Quantitative (High-Flyer), një hedge fund (një fond investimesh offshore – ed.) e cila përqafoi herët AI, duke integruar mësimin e makinerive në strategjitë tregtare.

Vizioni u realizua në vitin 2024, me lançimin e DeepSeek-V2, një model me open source që tërhoqi menjëherë vëmendjen e profesionistëve, të cilët janë gjithmonë shumë të hapur ndaj modeleve efikase dhe të lira.

“Ne nuk prisnim një reagim kaq të fortë. Ne thjesht ndoqëm rrugën tonë, duke optimizuar kostot dhe duke vendosur çmime të drejta. Nuk kishim ndërmend të fillonim një luftë çmimesh, por u gjendëm në qendër të saj,"- pranoi Liang.

Ajo që e dallon Liang nga sipërmarrësit e tjerë në industri është qasja e tij ndaj inovacionit, kjo qasje reflektohet edhe në filozofinë e tij të rekrutimit.

“Nëse jeni duke kërkuar për rezultate të menjëhershme, punësoni njerëz me përvojë. Por nëse doni të ndryshoni botën, ju kërkoni kuriozitetin dhe pasionin”.

Por ekspertët pyesin se sa më tej mund të shkojë DeepSeek. Zhang tha se kufizimet e reja të SHBA mund të kufizojnë aksesin në të dhënat e përdoruesve amerikanë, duke ndikuar potencialisht në mënyrën se si modelet kineze si DeepSeek mund të bëhen globale. Dhe të tjerë thonë se SHBA ka ende një avantazh të madh, siç është, sipas Allen, "sasia e madhe e burimeve të tyre kompjuterike" - dhe është gjithashtu e paqartë se si DeepSeek do të vazhdojë të përdorë çipa të avancuar për të vazhduar përmirësimin e modelit. Por tani për tani, DeepSeek po shijon momentin e tij, duke qenë se shumica e njerëzve në Kinë nuk kishin dëgjuar kurrë për të deri këtë fundjavë.

DeepSeek "kërcënon" SHBA-në/ Ç'fshihet pas
Liang Wenfeng

Heronjtë e rinj të AI

Fama e tij e papritur e ka bërë Liang të bëhet një sensacion në mediat sociale të Kinës, ku ai është duke u duartrokitur si një nga "tre heronjtë e AI" nga provinca jugore Guangdong, e cila kufizohet me Hong Kongun. Dy të tjerët janë Zhilin Yang, një ekspert kryesor në Universitetin Tsinghua dhe Kaiming He, i cili jep mësim në MIT në SHBA.

DeepSeek ka kënaqur internetin kinez përpara Vitit të Ri Hënor, festës më të madhe të vendit. Është një lajm i mirë për një ekonomi të bllokuar dhe një industri teknologjike që po përgatitet për tarifa të mëtejshme dhe shitjen e mundshme të biznesit të TikTok në SHBA.

"DeepSeek na tregon se vetëm nëse keni inteligjencën do t'i përballoni sfidat", thuhet në një koment.

"Kjo është dhurata më e mirë e Vitit të Ri. Uroj që mëmëdheu ynë të jetë i begatë dhe i fortë", shkruan një tjetër./ZËRI

Poll

MOS HUMB