TIRANË- Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Demo theksoi se buxheti, i cili parashikon një fond prej rreth 40 miliardë lekësh, do të mbështetet në 3 prioritete kryesore. Pagat e Policisë, modernizimi përmnes teknologjisë dhe investimit te burimet njerëzore, mbeten prioritet kryesore.
“Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tri prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët”, theksoi Demo.
Rritja e pagës së punonjësve të Policisë zë një pjesë të rëndësishme në buxhet, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë. Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, parashikohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare e pagës për këtë kategori arrin në 23,600 lekë në muaj, ose 27%. Ndërkohë, për punonjësit me grada të tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj, me një efekt mesatar që varion nga 8% deri në 17%, duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë.
Gjatë prezantimit, Demo bëri të ditur gjithashtu se punonjësit e Gardës së Republikës do të përfitojnë bonuse specifike, të cilat do të nisin të aplikohen brenda vitit 2026.
"Shumë shpejt, ne do të trajtojmë punonjësit e Gardës së Republikës, me bonuse specifike, duke filluar që këtë javë. Për sa i përket trajtimit të tyre financiar, brenda vitit 2026, do të kemi disa risi të reja që do të bëhen publike në ditët në vijim", tha Demo. /ZËRI