Aktualitet

'E sulmoi ariu'! Policia: 61-vjeçari u vra me armë e thikë nga gruaja dhe djali i tij (EMRAT)

Policia njofton se 61-vjeçari u vra me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse nga bashkëshorja, 57 vjeç dhe djali i tij, 33 vjeç. 

F.I
'E sulmoi ariu'! Policia: 61-vjeçari u vra me armë e
Urim Fiku

BULQIZË-Është zbardhur ngjarja e rëndë në Bulqizë, ku 61-vjeçari Urim Fiku u raportua se ndërroi jetë pasi u sulmua nga një ari gjatë kohës që ndodhej në mal për të kullotur dhitë. Ajo që u raportua si sulm nga një kafshë, rezultoi me një krim të rëndë në familje. Policia njofton se 61-vjeçari u vra me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse nga bashkëshorja, 57 vjeç dhe djali i tij, 33 vjeç. 

Fillimisht gruaja e viktimës Sadete Fiku dhe djali i tij, Gazmir Fiku njoftuan Policinë, duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër, por nga ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se në pjesën e kraharorit viktima, ishte qëlluar me armë zjarri. Në vijim, policia arrestoi bashkëshorten e viktimës dhe djalin e tyre. Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e vrasjes. Policia sekuestroi një pistoletë model 54, fishekë dhe një gëzhojë pistolete, e cila u gjet në oborrin e banesës.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se një shtetas kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.

Arrestohen bashkëshortja dhe djali i tij, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.

Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.

Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:

* S. F., 57 vjeçe;

* G. F., 33 vjeç;

të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).

Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

MOS HUMB