BRUKSEL- Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos prezantoi sot raportin e progresit për Shqipërinë. Në progres raport janë përfshirë edhe protestat, duke nisur "Revolucioni Flamingo" në muajin maj dhe deri te protestat studentore, të shoqëruara me tensione dhe incidente.
Raporti evidenton se lëvizja nisi nga shqetësimet mjedisore për resortin në Pishë Poro-Nartë. Më pas, siç theksohet në raport, lëvizja u shndërruar në një mobilizim më të gjerë me kërkesa për transparencë dhe akuza për korrupsion. Sa i përket protestave studentore, raporti evidenton aktet e dhunës dhe pretendimet për përdorim të dhunës nga policia ndaj protestuesve e gazetarëve.
Në lidhje me situatën, KE thekson se deri më tani nuk është zhvilluar dialog mes palëve dhe u bën thirrje atyre të angazhohen në mënyrë të sinqertë në një dialog konstruktiv.
Pjesë nga progres raporti
Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.
Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.
Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.
Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.


/ZËRI