Ekonomi

Banka e Shqipërisë “hap derën” për bankën turke 'Ziraat': Brenda 12 muajve të plotësojë dokumentacionin!

"Ziraat Banka", pas aplikimit që ka bërë vitin e kaluar, ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe është gati të shërbejë në tregun shqiptar.

zh.ll
Banka e Shqipërisë “hap derën” për bankën
Ziraat Bank

TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprake për licencimin e degës së parë të Ziraat Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në vendin tonë. "Ziraat Bank", pas aplikimit që ka bërë vitin e kaluar, ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe është gati të shërbejë në tregun shqiptar. Bëhet me dije se brenda një afati 12-mujor nga data e vendimit, banka turke duhet të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore përkatëse, në mënyrë që të pajiset me licencën për të nisur aktivitetin.

“Ziraat Bank” është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare. Kjo bankë operon në 19 shtete të botës, ndërsa nëse arrin të hapë degë në Shqipëri, ne bëhemi shtei i pestë i Ballkanit ku ka hyrë Ziraat. Ajo ka filial në Kosovë, Greqi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Malin e Zi.

Ziraat është bankë me profil kryesisht bujqësor, dhe që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë sektor në Turqi. Por në Shqipëri, fokusi i saj në kreditim nuk do të jetë vetëm tek bujqësia por edhe më gjerë në fushat e tjera. Aktualisht në Shqipëri operojnë 11 banka nga të cilat gjashtë janë me kapital të huaj. Përveç "Ziraat", në tregun shqiptar këtë vit pritet të hyjnë edhe 2 institucione të tjera bankare, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Banka Evropiane e Investimeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB